Shendet

Terapia revolucionare shëron një 13-vjecare nga kanceri i pashërueshëm

Kanceri i pashërueshëm i një adoleshenteje në Leicester është pastruar nga trupi i saj pas përdorimit për herë të parë të një terapie të re të quajtur redaktimi bazë.

Të gjitha trajtimet e mëparshme për Alyssa-n kishin dështuar. Kështu që mjekët në spitalin Great Ormond Street në Leicester përdorën “redaktimin bazë”.

Gjashtë muaj më vonë kanceri është zhdukur, por Alyssa është ende duke u monitoruar në rast se ai kthehet.

Alyssa, e cila është 13 vjeç, u diagnostikua me leuçemi limfoblastike akute me qeliza T në maj të vitit të kaluar. Qelizat T supozohet të jenë “kujdestarët” e trupit por për Alyssa-n ato ishin bërë rrezik dhe po rriteshin jashtë kontrollit. Kanceri u bë agresiv dhe pasi provuan çdo lloj terapie, familja dhe doktorët ia lanë në dorë shërimin vetëm një mrekullie.

Ajo që ndodhi më pas ka qenë e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë por vetëm falë përparimit të shkencës, Alyssa u shërua.

Ekipi në Great Ormond Street përdori një teknologji të quajtur redaktimi bazë, e cila u shpik vetëm gjashtë vjet më parë.

Bazat janë 4 “ndërtueset” e kodit tonë gjenetik: adenina (A), citozina (C), guanina (G) dhe timina (T).

Redaktimi bazë i lejon shkencëtarët të zmadhojnë një pjesë të saktë të kodit gjenetik dhe më pas të ndryshojnë strukturën molekulare të vetëm një baze, duke e kthyer atë në një tjetër dhe duke ndryshuar udhëzimet gjenetike.

Ekipi i mjekëve dhe shkencëtarëve e përdori këtë mjet për të krijuar një lloj të ri të qelizave T që ishin në gjendje të gjuanin dhe vrisnin qelizat T kanceroze të Alyssa-s.

Ata filluan me qelizat T të shëndetshme që erdhën nga një donator dhe filluan t’i modifikojnë ato.

“Ajo është pacientja e parë që trajtohet me këtë teknologji”, tha Profesor Waseem Qasim.

Ai tha se ky është një zbulim shumë i rëndësishëm, që luan një rol shumë të madh në historinë e mjekësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë