Dosje

Bosi i ‘Ndranghetas’ u kërkoi votën shqiptarëve dhe pakistanezëve për kryetar bashkie në Itali

Gazeta Si - Organizata mafioze “Ndrangheta” ka kërkuar votën e komunitetit shqiptar dhe pakistanez në Itali për të favorizuar ish-kandidatin e qendrës së djathtë në zgjedhjet e fundit komunale në Pioltelo.

Antimafia italiane në Milano, arrestoi këtë të hënë 10 persona, të cilët akuzohen edhe për manipulim vote përmes emigrantëve dhe afera droge me grupe trafikantësh shqiptarë.

Mediat italiane, shkruajnë se klani Manno-Maiolo i “Ndrangheta”-s në provincën e Milanos, dyshohet se ka tentuar të ndikojë në zgjedhjet lokale të tetorit 2021 në favor të kandidatit të atëhershëm për kryetar bashkie Claudio Fina dhe kandidatit për këshilltarit të planifikimit të qytetit, Menni Marcello, të dy të mbështetur nga një koalicion i qendrës së djathtë.

Prokurori Paolo Storari, i akuzon të arrestuarit edhe për veprën penale të  “krimit të detyrimit zgjedhor”.

Në veçanti, bosi i supozuar Cosimo Maiolo, sipas hetimeve kishte organizuar "një banket elektoral" për dy politikanët dhe ka ftuar edhe “komunitetin e huaj”, konkretisht “shqiptarët dhe pakistanezët” të votojnë për kandidatët Fina dhe Menni.

Mediat raportojnë se takimi bëhej me qëllim për të “demonstruar publikisht mbështetjen e ‘Ndrangheta’-s për dy kandidatët”.

Claudio Fina, 56 vjeç, një anëtar i Forza Italia-s, u mbështet nga një koalicion i qendrës së djathtë me Lega Nord të Matteo Salvinit dhe Vëllezërit e Italisë. Ai tani po hetohet për trafik votash.

Gjithashtu hetimet e prokurorëve italianë zbardhën akuzën e një tentative vrasje që ka përfshirë një anëtar të familjes mafioze të disa shtetasve shqiptarë për afera të lidhura me trafikun e drogës.

Përgjimet e kryera nga Antimafia, kanë dokumentuar se si kreu i mafies së këtij klani me veprim në Pioltello, dënonte gjestin impulsiv të sherrit të dhunshëm të anëtarit të familjes mafioze me trafikantët shqiptarë, aq sa për mësim u mor vendimi i eliminimit fizik të vëllait të tij, një krim që mbeti në tentativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë