Nga Gazeta Si – Klarineta, sazet, violina, lauria, çiftelia dhe daullja, instrumente që ndër vite duket se kanë ‘heshtur’, marrin zë në ekspozitën “Tinguj të heshtur” në Institutin e Antropologjisë Kulturore.
Janë 32 instrumente të përdorura ndër vite në Shqipëri, e kryesisht në Malësinë e Tiranës që ekspozohen për herë të parë, duke e përballur publikun me traditën shqiptare.
Etnomuzikologia Mikaela Minga, njëkohësisht kuratore e ekspozitës shpjegon se bëhet fjalë për një fond mjaft të pasur, i cili përfshin instrumente të tipologjive të ndryshme të përdorura në Shqipëri.
“Mendojmë se është një mundësi shumë e mirë që ky fond të bëhet i njohur jo vetëm për studiuesit e ngushtë, por edhe për publikun e gjerë. Fillimisht zgjodhëm qytetin e Tiranës, por jo për të vendosur kufij, të themi që këto instrumente janë përdorur vetëm në Tiranë, pasi përdorimi i tyre shtrihet edhe më gjerë, edhe në vende të tjera të Shqipërisë”, shprehet kuratorja Minga për Gazetën Si, ndërsa shton se “shpresojmë të jetë kjo një piketë e parë për të zhvilluar ekspozita të tjera të ngjashme”.







Ekspozita tenton t’i rrëfejë instrumentet si artefakte, por sipas Mingës ka synimin e qartë për ta lidhur muzikën popullore me të tashmen dhe për të treguar më shumë mbi historinë e tyre dhe të kulturës popullore shqiptare.
“Vendosëm ta quajmë ‘Tinguj të heshtur’ sepse nisur nga fakti që këto instrumente në momentin që janë futur në arkiv kanë heshtur, pra është një metaforë. Ata nuk janë përdorur më nga interpretuesit dhe janë kthyer në artefakte. Në njëfarë mënyre ishte dhe një formë për ta bërë më atraktive, por edhe për t’i dhënë një lloj zëri këtyre instrumenteve duke e lidhur me të tashmen, si një përpjekje për të gjetur histori, ngjarje, persona, të cilat lidhen me këto instrumente. Një rast i tillë ka qenë rasti i një çiftelie, e cila është futur në fond, dhe është ndërtuar nga një mjeshtër me origjinë nga Leskoviku, i cili ia kishte trashëguar edhe djalit të vet”, vijon etnomuzikologia.

Duke qenë se instrumentet e ekspozuar lidhen edhe me praktika e rituale tradicionale, sjellin edhe fakte të së shkuarës. Minga thotë se përpos synimit për të rrëfyer historinë e secilit instrument dhe rolin që ka pasur në jetën aktive të asaj kohe, ekspozita ngre edhe pyetjen “si vijon roli i këtyre instrumenteve tani”?
“Ekspozimi i këtyre instrumenteve është një gjë shumë e rëndësishme sepse ne sot shohim se çfarë instrumentesh janë përdorur dhe njëkohësisht dhe cili ka qenë interesi i njerëzve që i kanë mbledhur. Informacioni që ata kanë mbledhur për instrumentet është shumë i lidhur me tiparet e instrumentit, shenjat, format, etj”.
Për të, një ndër synimet e ekspozitës është edhe lidhja me të tashmen dhe se si mund t’i komunikojmë një muzikanti të tanishëm.
“Një aspiratë e imja është se pse jo muzikantë të caktuar të fusin në përdorim instrumente të tillë, jo vetëm në interpretimin e muzikës tradicionale, por edhe në repertore të ndryshme, pasi kjo ndodh edhe në vende të tjera të botës”, shprehet më tej Minga.
Etnomuzikologia e vë theksin edhe tek emergjenca e restaurimit, si pasuri e trashëgimisë muzikore.
“Unë si kuratore kam dhe synimin për krijimin e hapësirave të përhershme të këtyre instrumenteve dhe mbështetjen e ndërhyrjeve restauruese për këto instrumente si një nevojë emergjente”.
Në ditët e sotme, edhe tradita pashmangmërisht ndjek ritmet dhe zhvillimet e aktualitetit dhe sipas etnomuzikologes “vetvetiu muzika ka marrë përmasa të tjera dhe instrumentet kanë shkuar drejt atyre elektronike, pra një proces i vazhdueshëm transformimi dhe duhet të përpiqemi sa më shumë t’i mbajmë gjallë këto instrumente”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



