Farmacitë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë nuk kanë në gjendje as antibiotikët më të thjeshtë, pasi mjekët kanë raportuar një rikthim të infeksioneve të gripit, pas pandemisë.
Në Britani, Shoqata e Farmacive e ka quajtur mungesën e amoksicilinës “shumë shqetësuese” pasi vendi po përjeton një rritje të infeksioneve të rënda të streptokokut A, ku deri më tani kanë ndërruar jetë 8 fëmijë.
Mjekët po paralajmërojnë gjithashtu për mungesa të mundshme në vende të tjera europiane si Italia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara.
Në Francë, qeveria ka pranuar se furnizimet ishin të kufizuara si për amoksicilinën ashtu edhe për ilaçin e zakonshëm paracetamol, por që pacientët nuk kanë pasur probleme në gjetjen e tyre.
Çfarë po e shkakton mungesën e ilaçeve?
Fenomeni nuk është i ri, por është përkeqësuar me pandeminë dhe luftën në Ukrainë.
“Situata ka qenë shumë e keqe ndër vite në të gjitha vendet dhe ka prekur të gjitha llojet e ilaçeve”, thotë Ilaria Passarani, Sekretare e Përgjithshme e Grupit Farmaceutik të Bashkimit Europian (PGEU).
“Për shtatë-tetë vitet e fundit, problemi është shtuar”, tha ajo, duke thënë se ka disa arsye për këtë.
Arsyeja kryesore ka të bëjë me globalizimin e prodhimit të ilaçeve, i cili sheh fazat e ndryshme të prodhimit të ilaçeve të ndara në vende të shumta në mbarë botën.
Kina dhe India vlerësohet se prodhojnë midis 60 për qind dhe 80 për qind të përbërësve farmaceutikë aktivë në botë. Ky përqendrim i tregut vjen me rreziqe.
“Nëse ka një problem me një prodhues specifik, atëherë ka një mungesë në mbarë botën”, tha Passarani.
Një prodhues gjithashtu mund të vendosë të ndalojë prodhimin e një produkti kur ai nuk është më mjaft fitimprurës, duke i lënë blerësit me shumë pak alternativa.
Dhe çdo defekt në zinxhirët e furnizimit mund të shkaktojë lehtësisht ndërprerje.
Këto kohë, faktorë shtesë po kontribuojnë në furnizim. Që nga lufta në Ukrainë, industria farmaceutike, si shumë sektorë, është goditur nga inflacioni i lartë.
Konflikti ka çuar në kosto më të larta të energjisë dhe lëndë të para më të shtrenjta për prodhuesit.
Së fundmi, edhe pse Covid-19 vazhdon, sëmundjet e tjera po rikthehen.
Në fakt, kështu e kanë shpjeguar autoritetet franceze mungesën e furnizimit të amoksicilinës.
Sipas tyre, prodhuesit nuk e kishin menduar se do të kishte një kërkesë të lartë.
Mungesa e ilaçeve të ndryshme varet nga vendi.
Në Mbretërinë e Bashkuar, farmacitë po japin alarmin për amoksicilinën, një nga antibiotikët që u jepet më shpesh fëmijëve.
Gjatë verës, Mbretëria e Bashkuar kishte gjithashtu mungesa të disa ilaçeve për diabetin, ndërsa aripiprazoli, një ilaç i përshkruar për probleme psikiatrike, duke përfshirë skizofreninë, çrregullimin bipolar dhe autizmin, ishte gjithashtu në mungesë.
Në Francë mungon paracetamoli, aq sa autoritetet kanë rekomanduar që farmacistët të shesin jo më shumë se dy kuti për pacient. Janë raportuar gjithashtu mungesa për disa ilaçe për diabetin.
Në Shtetet e Bashkuara, pacientët me çrregullim të hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD) po përballen mungesë të Adderall.
Në Irlandë, më shumë se 180 produkte ishin “në mungesë” në shtator, sipas Medicines for Ireland.
A ka një zgjidhje për këto mungesa?
Në mars 2022, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) krijoi një grup drejtues për të adresuar problemet e furnizimit. Grupi po punon për të siguruar komunikim dhe koordinim më të mirë midis prodhuesve të ndryshëm në të gjithë industrinë.
Përfaqësuesit e profesionistëve shëndetësorë dhe të pacientëve shpresojnë për më shumë veprime si pjesë e rregullores së re që po diskutohet aktualisht në Bruksel. Propozimi i Komisionit Europian pritet në fund të këtij viti.
A mund të rrezikojnë pacientët nga këto mungesa ilaçesh?
Në një studim të kryer nga The Pharmaceutical Journal në korrik 2022, më shumë se gjysma e farmacistëve në Mbretërinë e Bashkuar të anketuar mendonin se mungesa e ilaçeve po rrezikonte shëndetin e pacientëve.
Një studim i fundit francez zbuloi se zëvendësimi i një ilaçi me një tjetër çoi në probleme në mjekim në 11 për qind të rasteve. Për shumë ilaçe, veçanërisht për sëmundjet e rralla, shpesh nuk ka alternativa. Por gjithashtu, duhet të kemi parasysh se edhe thjesht ndryshimi i një ilaçi me një alternativë mund të rrisë rrezikun e efekteve anësore ose të ketë një efektivitet të ndryshëm”, tha Passarani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




