Efektivi i policisë me iniciale K.B. është pezulluar nga detyra pasi pasditen e sotme gjatë operacionit për ndalimin e një furgoni me emigrantë të paligjshëm në Kukës qëlloi me armë zjarri duke lënë të plagosur një shtetas të huaj nga Egjipti.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, bën me dije se në momentin kur janë sinjalizuar nga policia shoferi i furgonit bashkë me personat që transportoheshin prej tij kanë tentuar të largohen. Në atë moment efektivi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë në ajër.
Gjatë ndjekjes ai ka deklaruar se është rrezuar duke kryer shkrepje të pavullnetshme në drejtim të emigrantit egjiptian i cili ka marrë plagë në pjesën e shpinës.
Sipas AMP-së, forcat “Shqiponja” kanë konstatuar furgonin të devijojë nga rruga kryesore dhe të futet në një rrugë dytësore.
Ata kanë vazhduar ndjekjen e mjetit poshtë nënkalimit të fshatit Mamës-Kukës dhe pas rreth 100 metrash, drejtuesi i mjetit K. GJ. 29 vjeç ka ndaluar automjetin duke tentuar të largohej me vrap, kohë në të cilën personat që ndodheshin në furgon kanë tentuar gjithashtu t’i largohen forcave të policisë.
“Në këtë moment, punonjësi i policisë Inspektor K.B. sipas deklarimeve të tij, ka nxjerrë armën dhe pasi ka qëlluar dy herë në ajër ka vazhduar ndjekjen e tyre, por duke qenë terren i vështirë me shkurre dhe lagështirë dhe në kushtet e errësirës është penguar duke kryer qitje të pavullnetshme me pistoletën që mbante në dorë. Për pasojë, është plagosur shtetasi egjiptian M. H. G, i cili ka marrë një plagë me armë zjarri në pjesën e shpinës.
Menjëherë, punonjësit e policisë kanë bërë shoqërimin drejt Spitalit Rajonal të Kukësit të shtetasit egjiptian të plagosur, si edhe drejtuesit të mjetit furgon, i cili pësoi lëndime të lehta pasi u rrëzua nga një lartësi rreth 3 metra gjatë ndjekjes nga ana e punonjësve të policisë. Pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Kukësit, ata janë përcjellë për në Spitalin e Traumës Tiranë dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në DVP Kukës janë shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje 12 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme për kryerjen e veprime hetimore të mëtejshme”, deklaron AMP-ja.
Ndërkohë, AMP thekson se është bërë pezullimi nga detyra e punonjësit të policisë, Inspektor K. B., deri në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




