Shendet

Tani pacientët me tendinat e këputura mund të shërohen më shpejt

Tendinat e këputura janë lëndime të zakonshme që mund të kufizojnë lëvizjen për muaj të tërë, por një shpikje e re duket se do t’i japë fund periudhave të gjata të pushimit duke i rigjeneruar më shpejt.

Kur tendinat këputen, kirurgët qepin bashkë fundet e saj dhe mund të duhen deri në 6 muaj për të rifituar lëvizjen e plotë. Një metodë tjetër është të merret një tendinë nga një pjesë tjetër e trupit ose nga një dhurues, zakonisht nga gjuri ose në pjesën ku muskuli i kofshës lidhet me kockën.

Shkencëtarët në Kinë kanë krijuar një lloj strukture që i lejon tendinat të rigjenerohen ndërsa pacienti vijon të jetë aktiv, pa qenë nevoja për ndërhyrjet e lartpërmendura. Struktura elastike, e krijuar nga inde të gjalla që u cilësua si një “skelë” , iu vendos minjve që kishin probleme me tendinat dhe ata mundën të ecnin normalisht pas dy javësh.

Shërimi i shpejtë erdhi si rezultat i kësaj shpikjeje novatore që është elastike, por edhe e fortë.  Materiali përbëhet nga fibra të holla kolagjeni dhe elementë të tjerë të përshtatshëm biologjikisht me organizmin.

Mjekët kinezë kanë shprehur optimizëm për këtë risi, edhe pse kanë pranuar se do të duhen disa vite derisa ajo të implementohet te njerëzit.

Një në 20 operacione të riparimit të tendinave zhvillon një infeksion, duke çuar në periudha më të gjata të rikuperimit dhe nevojën për kirurgji të përsëritur dhe ekziston rreziku i refuzimit nëse përdoret një tendinë donatori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë