Ngjarje

Sot 29 Nëntori, përkujtohet 78-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë

Gazeta Si - Një ditë pas festës së Pavarësisë, Shqipëria përkujton këtë të martë 29 Nëntorin, 78-vjetorin e Çlirimit nga forcat fashiste italiane dhe gjermane.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte  e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.

Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.

Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.

Edhe këtë vit dy kampet e politikës shqiptare nuk festojnë në një ditë, pasi nuk bien dakord për ditën e çlirimit. Demokratët njohin 28 Nëntorin, ndërsa socialistët datën 29.

Kryeministri Edi Rama ka uruar përmes një postimi në rrjetet sociale Ditën e Çlirimit. “Gëzuar Ditën e Çlirimit”, shkruan ai në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë e shoqëron postimin e tij me një foto të flamujve kuqezi në monumentin “Nëna Shqipëri”.

Një urim ka ardhur edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ka përshëndetur Ditën e Çlirimit të atdheut.

“Prej 78 vjetësh festojmë Ditën e Çlirimit, me krenarinë e ligjshme që ushqen rreshtimi i me Kolacionin e Madh Antifashist dhe fakti se Shqipërinë e çliruan partizanët, luftëtarët dhe populli shqiptar. Nderojmë sot çlirimtarët e Shqipërisë, partizanët, luftëtarët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, veteranët dhe pasardhësit e tyre! Vlerat e antifashizmit dhe të lirisë, të cilat triumfuan në Shqipëri më 29 Nëntor 1944, janë të pacënueshme,  janë themeli i shoqërisë demokratike e perëndimore që po ndërtojmë. Shqipëria evropiane i ka rrënjët në Shqipërinë antifashiste”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë