Tetori është muaji i parë këtë vit, i cili krahasuar me periudhën e para pandemisë, ka shënuar ulje të numrit të turistëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të huajve ishte 5.7% më i ulët se e njëjta periudhë e vitit 2019 i cili konsiderohej si viti më i mirë i turizmit pa nisur pandemia.
Ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të 2021-shit, numri i turistëve të huaj është 365.227, duke u rritur me 22%.

Për 10-mujorin, viti 2022 mbetet viti më i mirë për turizmin deri më tani me një rritje prej 16.2 për qind të hyrjeve të shtetasve të huaj dhe me 31 për qind në raport me vitin 2021.
Nga vendet që kanë patur hyrjet më të larta, Spanja gjatë dhjetëmujorit ka patur rritjen më të madhe me 3.8 herë ndërsa Zvicra atë më të ulët, me 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.
Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve thotë për Gazetasi.al se arsyeja themelore pas prurjeve të shumta të spanjollëve është shtimi i fluturimeve direkte me Spanjën.
“Më parë të gjithë turistët spanjollë që kishin interes për të vizituar Shqipërinë ishin të detyruar të vinin duke bërë ndalesa në shtetet e tjera europiane, gjë që për ta ishte jo vetëm kosto monetare por edhe kohe.
Këtë vit ka dy herë në ditë fluturime direkte drejt Madridit dhe pesë herë drejt Barcelonës, dhe kjo jo vetëm ka lehtësuar lëvizjet por dhe ka nxitur interesin e shumë turistëve.
Vitin e ardhshëm do të shtohet një tjetër linjë drejt Madridit”, shton ai për Gazetasi.al.
Gjatë tetorit, numri i shtetasve të hyrë për qëllime personale në Shqipëri u rrit me 23.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit më parë.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, në tetor janë 749.252, duke shënuar një rritje me 20.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




