Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas metodës së Eurostat, rezultoi 8% për muajin tetor, 0.3% më pak se ai i matur nga INSTAT.
Rritja më e madhe ka ndodhur në grupin e ushqimeve, dhe pijeve joalkoolike me 13.7% krahasuar me një vit më parë. Ndjekur nga transporti me 12.9% dhe “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.5%.

Shqipëria është listuar ndër vendet me inflacionin më të ulët se vendet e tjera të BE-së, duke lënë pas vetëm Maltën, Spanjën, Francën, Zvicrën dhe Islandën.
Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë është 11.5%, më e larta historike, me shtrenjtimin më të madh që erdhi nga energjia (41.5%), duke ndikuar në 4.4 pikë përqindje të rritjes së inflacionit.

Në muajin tetor, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.3 %. Inflacioni në vend nga Instat shkoi 8.3% në tetor.
IHÇK-ja, po rezulton më e ulët se IÇK-ja prej disa muajsh radhazi, kur më herët ndodhte e kundërta. Kjo sepse shporta e produkteve ku Eurostat bazohet për matjet, ka një tjetër përmbajtje nga ajo e Instat dhe dy produkte më pak. Norma e inflacionit vazhdon të mbetet më e larta në vend për 20 vitet e fundit.
Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të pestë brenda pak muajsh normën bazë të interesit, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.
Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një konferencë për media tha më 2 nëntor se norma bazë është rritur me 0.5 pikë përqindje duke shkuar në nivelin 2.75%.
“Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve. Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, pozicion i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton një shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave. Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes”, -u shpreh Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




