Treg

Eksportet ngadalësohen sërish, përjashtim bëjnë tekstilet dhe këpucët

Rritja e eksporteve është ngadalësuar sërish, teksa sektori po vuan pasojat e krizës globale dhe kostove të larta të energjisë.

Në muajin tetor eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u rritur me 12.5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 0.8 %, në krahasim me shtatorin e 2022-shit. Zgjerimi më i ulët i këtij viti, sipas të dhënave të INSTAT.

Ndërsa  importet e mallrave arritën vlerën 83 mld lekë, duke u rritur me 8.6 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 5.3 %, në krahasim me shtatorin.

Peshën kryesore në rritjen e eksporteve në tetor vijuan ta mbanin tekstilet e këpucët(6.9%), ndërsa për të dytin muaj ishin në tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve(-3.2%), që deri tani ishin një nga nxitësit kryesorë të eksporteve.

Janë ngadalësuar ndjeshëm dhe eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, një sektor i goditur nga rritja e kostove, sidomos të energjisë.

Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 404 miliardë lekë, duke u rritur me 35%, nga mbi 50% që ishte zgjerimi në muajt e parë të vitit.

 Fasoni përshpejtohet sërish

Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore.

Para disa ditësh, Edvin Prence, kreu i shoqatës “Pro Export Albania” tha për Gazetasi.al se sektorit i mungojnë aktualisht 20 mijë punëtorë dhe kjo krizë nuk po zbutet as nga punonjësit e vendeve të treta.

Ai shtoi se frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë një ngërç dhe ulje të porosive, maksimumi nga janar-shkurti.

Sipas INSTAT, eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë”, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 22% për 10 mujorin, duke përshpejtuar sërish ritmet (zgjerimi ishte 19.7% me bazë vjetore për 9 mujorin).

Materialet e ndërtimit dhe metalet kanë shënuar rënie për të dytin muaj radhazi, duke u tkurrur me 13.2% në tetor.

Për 10 mujorin, ky grup është rritur me 43%, si rrjedhojë e çmimeve të larta që i kanë nxitur eksportet në vlerë në pjesën e parë të vitit.

 Ngadalësohen mineralet dhe lëndët djegëse, ushqimet rritje e ngadaltë

“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” ngadalësuan sërish ritmet e rritjes në tetor, duke u zgjeruar me 13.6%, nga mbi 50% në gusht.  Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 14.7% për 10 mujorin, nga 20% në 5-mujor.

Thellohet deficiti

Sipas INSTAT, deficiti tregtar i këtij muaji është 45 miliardë lekë, duke u rritur me 5.5%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar dhe duke u ulur me 8.7%, në krahasim me shtatorin e këtij viti.

Për 10 mujorin, deficiti tregtar arriti vlerën 374 miliardë lekë, duke u rritur me 12.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

 Rriten eksportet me Italinë, bien me Kosovën

Sipas INSTAT, në tetor vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me tetorin e 2021-shit janë: Itali (20.3%), Gjermani (34.4%) dhe Maqedoni (3.5%).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (13.8%) ,Spanja (13.4%) dhe Greqia (16.9%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 60.2% të gjithë tregtisë.

Gjatë tetorit eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76.9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52.6% të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29.6%), Turqia (8.2%), Greqia (6.7%) dhe Kina (6.3%).

Shkëmbimet tregtare, për dhjetëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59.6% të gjithë tregtisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë