Vitin e shkuar, Korça ishte destinacioni më i preferuar i pushimeve në Shqipëri.
Sipas të dhënave të INSTAT në anketën e turizmit “Pushime dhe Udhëtime”, Korça mbajti vendin e parë si destinacion kryesor në tremujorin e parë dhe të fundit të vitit.
Durrësi ishte më i preferuari në tremujorin e dytë kurse Vlora në të tretin.
Në total, 83.5% e udhëtimëve me qëllim pushimet (31.4% në të parin dhe 52.2% në të fundit) kanë qenë në qarkun e Korçës, 24% në Durrës dhe 51.3% në Vlorë.
Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (18.6 %), Korrik (12.4 %), Qershor (11.5 %) dhe Dhjetor (9.9 %).

Ndërsa në destinacionet më të preferuara të shqiptarëve për të udhëtuar jashtë Shqipërisë për “Pushime dhe kohë të lirë” vitin e shkuar kryesuan Turqia dhe Greqia.
Destinacione të tjera të preferuara ishin Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Dubai.

Anketa tregon se në vitin 2021, janë regjistruar rreth 7.7% më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2020.
Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ku rritja më e lartë është shënuar për udhëtimet për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë.
Udhëtimet e shkurtra(1-3 netë) zënë peshën më të madhe
“Në 2021, udhëtimet e kryera për qëllime ‘Vizita te të afërm dhe miq’ në Shqipëri dhe jashtë saj janë rritur përkatësisht me 2.9 dhe 8.6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020”, thekson anketa ndërsa shton se netëqëndrimet e shkurtra zënë më shumë peshë.
Udhëtimet e shkurtra (1-3 netë) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe (70%) se udhëtimet e gjata (4+ netë).

Ndërsa situata paraqitet ndryshe për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (69.8 %)
Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4.3 netë ndërsa përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç.
Qëndrimi tek të afërmit, akomodimi më i preferuar
Nga ajo që shihet në të dhënat e anketës së turizmit, rezulton se vitin e shkuar 44.3% e akomodimeve ishin tek të afërmit, 30.8% në hotele të ndjekura më tej nga ambiente me qira dhe shtëpi ose apartamente të dyta për pushime.

Vitin e shkuar është vënë re një rritje për këto lloj apartamentesh me rreth 1.4%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




