Ne rrjet

Marrëveshja e Prespës mund të bllokohet nga parlamenti grek!

Ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev po përpiqet të shtyjë përpara ndryshimet kushtetuese për të zbatuar marrëveshjen e emrit me Greqinë, ratifikimi i marrëveshjes nga Athina mund të kërcënohet nga pakte të brendshme politike.

Në një intervistë për BIRN, ish-ambasadori i Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulosm thotë se në Athina ka nisur tanimë një garë kundër kohës për bllokimin e kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja e emrit ka një shans vetëm nëse mbërrin në parlamentin grek për ratifikim, për sa kohë që qeveria aktuale greke është ende në pushtet,” shpjegoi Moschopoulos. “Nëse zgjedhjet në Greqi zhvillohen përpara se marrëveshja të zbatohet nga Maqedonia, opozita e tanishme do ta bllokojë në parlament”, paralajmëroi ai.

Marrëveshja e Prespës duhet të miratohet me një votim të shumicës së thjeshtë në parlamentin grek, 151 vota nga 300. Partitë kryesore të opozitës, si dhe aleatët e koalicionit të Syrizas, Grekët e Pavarur, e kanë bërë të qartë se do të votojnë kundër marrëveshjes.

“Por duket se disa depute të pavarur do të votojnë në favor dhe në këtë mënyrë qeveria do të jetë në gjendje të marrë 151 vota për të miratuar marrëveshjen,” vuri në dukje Moschopoulos. Kjo do të thotë se fati i marrëveshjes varet nga zgjedhjet që do të zhvillohen në Greqi.

“Afati aktual është në tetor të 2019-ës. Por qeveria e Aleksis Tsipras mund të caktojë datën e zgjedhjeve kurdoherë që  mendon se shanset e tij për të fituar janë më të mira. Flitet se zgjedhjet mund të zhvillohen në të njëjtën kohë me zgjedhjet europiane, pra më 29 maj, “shpjegoi Moschopoulos.

Sondazhet e para-zgjedhore nuk duken të mira për Syrizan. Sondazhi i fundit i publikuar nga gazeta “ProtoThema” sugjeroi që Demokracia e Re do të fitonte me 36.8 për qind, ndërsa Syriza do të merrte vetëm 23.7 për qind të votave.

Firmosja e Marrëveshja se Prespës

“Për më tepër, disa thashetheme djallëzore në Athinë thonë se qeveria mund të shpallë zgjedhje të parakohshme përpara se marrëveshja të arrijë në parlament në mënyrë që patatja e nxehtë të jetë në oborrin e opozitës”, tha Moschopoulos.

“E vërteta është se për Greqinë, rreziqet nuk janë aq të larta sa janë për Maqedoninë, shpjegoi ai. “Ndërsa anëtarësimi i Shkupit në NATO varet nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, për Greqinë çështja e Maqedonisë është thjesht një temë me të cilën mund të luajnë nacionalistët dhe konservatorët, shtoi ai.

Moschopoulos thotë se qeveria në Athinë nuk bëri një punë të mirë për informimin e duhur të publikut për marrëveshjen. “Shqetësimi i tyre i vetëm ishte se si të ndalnin opozitën. Udhëheqja e opozitës ka rënë dakord gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin se Greqia do të favorizonte një zgjidhje për një emër të përbërë që përfshin Maqedoninë, por edhe një mbiemër gjeografik, “tha ai.

 “Por në të njëjtën kohë, shumica e popullit dhe partia opozitare e Demokracisë së Re e hodhën poshtë këtë ide. Ata nuk duan fjalën Maqedoni në emrin e fqinjit tonë verior”.

Opozita greke gjithashtu beson se gjuha maqedonase, e cila në marrëveshje është përkufizuar si një gjuhë sllave jugore, nuk duhet të quhet fare maqedonas. Për më tepër, sipas tyre qytetarët e republikës se Maqedonisë nuk duhet të quhen maqedonas.

“Është budallallëk që në shekullin 21 të luftosh se kush është pasardhësi i ligjshëm i Aleksandrit të Madh”, tha Moschopoulos. Por, politikanët maqedonas kanë provokuar shpesh nacionalistët grekë.

Moschopoulos tha gjithashtu se edhe nëse marrëveshja e Prespës ratifikohet nga të dyja vendet, ende ka pengesa për t’u kapërcyer. Marrëveshja mund të ketë vështirësi në OKB, veçanërisht sepse më 3 tetor, ministria e jashtme ruse njoftoi se do ta dërgojë në Këshillin e Sigurimit të OKB për diskutim, duke argumentuar se ajo bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kushtetutën maqedonase.

“Asgjë nuk është e sigurt në këtë botë,” përfundoi Moschopulous.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë