Shendet

Në qarkullim 2 nënvariante të reja të Omicron BA.5, raste në rritje në SHBA. Ekspertët shqiptarë: Po e monitorojmë

Pandemia e Covid nuk ka mbaruar.

Ekspertët paralajmërojnë një valë të re variantesh “shqetësuese” COVID në rritje, ku Omicron BQ.1 dhe BQ.1.1 përbëjnë më shumë se 11% të rasteve COVID-19 në SHBA.

Sipas të dhënave nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC),  javën e kaluar, këto variante as nuk u konsideruan të rëndësishme për të qenë në listë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci është shprehur se BQ.1 dhe BQ.1.1-së bashku me variantet e tjera COVID-19 si XBB- tashmë po përhapen shpejt.

Sipas ekspertëve amerikanë të shëndetit publik, BQ.1 dhe BQ.1.1 janë pjesë e një sulmi të ri të varianteve COVID-19 që po rriten në botë.

Thomas Russo, M.D., profesor dhe shef i sëmundjeve infektive në Universitetin në Buffalo në Nju Jork  thotë se kjo është vala tjetër që pritet të përfshijë gjithë botën.

“BQ.1, BQ1.1, dhe këto variante të tjera të reja kanë evoluar të gjitha në vende të ndryshme, por, në një shkallë, ata ndajnë proteina të ngjashme të majës që i bëjnë ato të paktën po aq infektuese sa variantet prindërore prej të cilëve rrjedhin”, thotë Thomas Russo, M.D., profesor dhe shef i sëmundjeve infektive në Universitetin në Buffalo në Nju Jork.

Sipas tij, BQ.1 dhe BQ.1.1 janë nënvariante të variantit Omicron BA.5, i cili aktualisht përbën rreth 68% të rasteve COVID-19 në SHBA.

Ai i quan ata “kushërinjtë e parë,” duke vënë në dukje se janë shumë të ngjashëm.

Situata në Shqipëri

I pyetur nga gazeta “SI”, epidemiologu Alban Ylli, nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, thotë se nisur nga publikimet shkencore, po monitorohet situata në SHBA ku po konstatohet qarkullim më i lartë i dy nënvarianteve të reja.

“Do shihet fillimisht çdo të ndodhë në vendet e mëdha. Nëse do fillojne të bëhen variante dominuese. Më pas çdo të ndodhë me ne. Nuk dihet ende sa do të rëndojë në shëndet, por dihet që Covid përgjithësisht ka efekte në sistemin nervor qendror”, thotë Ylli.

Varianti “Cerberus”, paralajmërimi që vjen nga Italia

Ekspertët e shëndetit publik në Itali thonë se, me evoluimin e varianteve të koronavirusit Sars-CoV-2 “dhe mbrojtjen e dhënë nga vaksinimi në forma të rënda, sëmundja Covid-19 sot nuk është më ajo e viteve 2020-2021.

 Megjithatë, pandemia është ende në vazhdim dhe si OBSH ashtu dhe ECDC ftojnë të gjitha vendet të jenë të përgatitura dhe gati, duke ditur ardhjen e shpejtë të variantit Cerberus dhe papandehurshmërinë e skenarëve afat-mesëm.

Nino Cartabellotta, president i Fondacionit Gimbe, thotë se qeveria “Meloni” po përgatitet të nisë masat e para për një administrim të ri të Covid.

“Në çdo rast – tha Presidenti Nino Cartabellotta – është thelbësore të mbahet azhornimi i përditshëm i të dhënave të Covidit dhe fushata e vaksinimit dhe të garantohet qasje transparente për studiuesit për analiza dhe studime të pavarura”.

Përdorimi i maskave në strukturat shëndetësore – sipas Gimbe – është thelbësore si për të mbrojtur profesionistët dhe punonjësit shëndetësorë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur shëndetin e pacientëve, veçanërisht të moshuarve.

“Përkundrazi, detyrimi i maskave në këto mjedise – nënvizoi Cartabellotta – duhet të bëhet i përhershëm, pavarësisht nga pandemia e vazhdueshme, në mënyrë që të mbrohen më mirë njerëzit më të pambrojtur nga infeksionet respiratore të çdo lloji. Dhe përdorimi i kësaj pajisjeje, siç tregohet nga autoritetet ndërkombëtare të shëndetit publik, rekomandohet në të gjitha mjediset e mbyllura të mbushura dhe/ose të ventiluara keq”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë