Rend dhe Ligj

Dekonspiroi ekstradimin e Ibrahim Licit, ndjekje penale e largim nga puna sekretares së Prokurorisë

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Shkodrës ka pezulluar nga puna sekretaren që zbuloi të dhënat sekrete për një rast ekstradimi nga Turqia për në Shqipëri të Ibrahim Licit, person i shumëkërkuar dhe i akuzuar për një vrasje.
Bëhet pikërisht për Kristina Gurin, që kjo prokurori ka vendosur dhe të kryejë procedim penal ndaj saj.

“Si rezultat i hetimeve të deritanishme, janë grumbulluar të dhëna që tregojnë se shkresa e publikuar në media është fotografuar fillimisht nga shtetasja K.G., me detyrë sekretare në Seksionin e Ekzekutimeve dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, e më pas kaluar nga aparati i saj celular, shpërndarë dhe publikuar në media. Ndaj shtetases K.G., është marrë menjëherë masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në prokurori, ndërkohë që po procedohet edhe penalisht për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sakaq bëhet e ditur se vijojnë hetimet për zbulimin dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në mbajtjen, shpërndarjen dhe publikimin e shkresës në fjalë dhe të të dhënave të tjera sekrete, me qëllim përcaktimin e plotë të faktit dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej tyre. Lici, i biri i Mustafa Licit, akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër. Ai ka reaguar për mediat se së bashku me vëllanë e tij ndodheet në Stamboll dhe se nuk është në ndjekje penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë