Nga Gazeta Si – Shoqata e Transportit Urban kërkon sërish vazhdimin e subvencionit i cili përfundon sot (31 tetor) në mënyrë që të mos ketë një rritje të çmimit të biletave apo reduktim shërbimi.
Dashnor Memaj, Kreu i Shoqatës shprehet për Gazetasi.al se “kjo situatë është një ‘alarm ditor’ duke qenë se transporti publik përdoret nga një masë e madhe qytetarësh të cilët nuk kanë mundësi të lëvizin me mjetet e tyre private”.
Për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor për kompanitë e transportit, si pjesë e paketës së dytë antikrizë në ndihmë të sektorit.
Por për muajin nëntor dhe dhjetor operatorët rrezikojnë sërish të mbeten pa subvencion, gjë që sipas tyre do të rrisë më tej kostot dhe do i detyrojë të ndërhyjnë për dyfishimin e çmimit të biletave.

“Sektorit të transportit i duhet një vëmendje e veçantë, sidomos në Shqipëri ku ne duhet të paguajmë një sërë detyrimesh dhe taksash. Shtetet e tjera kanë politika afatgjata për transportin dhe e kanë zhveshur atë nga shumë detyrime ndaj mendoj që duhet një ndërhyrje serioze dhe të studiohet më gjatë pasi nuk mund të rrimë në bisedime sa herë që përfundon subvencioni”, vijon Memaj për Gazetasi.al.
Ai thotë se kompanitë e transportit nuk mund të qëndrojnë në varësi të subvencioneve ndërsa e kanë të pamundur të përballojnë çmimet e karburantit që janë dyfishuar.
“Karburanti është zëri që ka peshën më të madhe në kostot tona, me gati 50%, dhe ne jemi të parët që e ndiejmë atë. Po u rrit karburanti sot, ne shkojmë në pikën e karburantit duke u ndikuar menjëherë nga rritja e çmimeve”, shton mandej Memaj për Gazetasi.al.
Ndër problematikat me të cilat po haset transporti publik aktualisht në Tiranë, ai rendit si më kryesoren mungesën e punonjësve.
“Nuk mund të rrisim pagat e punonjësve”
“Sektorit sot i mungojnë rreth 1500 punonjës duke nisur nga shoferët, mekanikët, faturinot dhe punonjës të tjerë të këtij zinxhiri dhe e gjithë kjo për shkak të mbështetjes financiare.
Shumë prej tyre po largohen jashtë duke qenë se paguhen më mirë ndërkohë që ne nuk jemi në gjendje t’u rrisim pagat për aq kohë sa nuk subvencionohemi. Ndaj i mëshoj dhe faktit që subvencioni duhet të jetë afatgjatë.
Nuk mund të rrisim pagën e një punonjësi për dy muaj dhe më pas t’i bëjmë sërish ulje në momentin që mbaron subvencioni”, thotë me shqetësim Memaj ndërsa shton se mungesa e theksuar e shoferëve po rëndon më tej situatën.
“Shoferët janë kategoria që duan njëfarë kohe të gjatë për t’u bërë profesionistë për të lëvizur me autobus. Para 4 vitesh ne kishim një moshë mesatare rreth 40 vjeç për shoferët ndërsa sot mbi 56. Një pjesë shumë e madhe janë larguar jashtë në vendet e Bashkimit Europian për të ardhura më të larta pasi stimulimi financiar që ne ju kemi dhënë nuk është i mjaftueshëm”, përfundon Memaj.
Për shkak të emigrimit të lartë të popullatës sektori i transportit urban vijon të vuajë rënien e numrit të pasagjerëve. Sipas të dhënave të shoqatës aktualisht numri i pasagjerëve është 40 % më pak se viti 2019.
Ndër kërkesa të tjera drejtuar qeverisë, Shoqata e Transportit ka renditur edhe uljen deri në 6% të TVSH-së për shitjen e biletave, heqjen e akcizës së karburantit si dhe rimbursimin e kategorive që përfitojnë udhëtim falas.
Paketa për rimbursimin e naftës u përdor në muajt mars, prill dhe maj ndërsa në qershor dhe korrik transporti urban vuajti shtrenjtimin e kostove nga rritja e çmimit të naftës, pasi mungoi subvencionimi.
Në gusht, operatorët paralajmëruan ndërprerjen e abonesë nëse qeveria nuk do të ndërhynte me masa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




