Rend dhe Ligj

Goditet grupi kriminal i drogës, 23 të arrestuar në Korçë. Sekuestrohen 50 mln lekë, armë e makina

Gazeta Si – Në një operacion antidrogë autoritetet policore në Korçë arrestuan pasditen e kësaj të premteje 23 persona dhe shpallën në kërkim të 9 të tjerë.

Bëhet fjalë për fazën e dytë të operacionit të koduar “Knock Down”, kundrejt një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e drogës në këtë qytet.

Në një konferencë për shtyp, kreu i policisë së Korçës tha se gjatë operacionit u sekuestruan 700 gramë kokainë e ndarë në doza, rreth 1 mijë doza heroinë, kanabis, rreth 50 milionë para në valuta të ndryshme, etj.

Më herët, në fazën e parë të këtij operacioni të realizuar në muajin prill të këtij viti në pranga përfunduan 25 persona.

Autoritetet thonë se nga hetimet ka rezultuar personat në fjalë vepronin në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ata e siguronin drogën nga qytete si Tirana, Elbasani e Durrësi etj, dhe e shisnin më pas në Korçë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Gjovalin Loka, tha se në kuadër të të dy fazave të operacionit, janë proceduar penalisht 197 persona, nga të cilët 54 janë arrestuar, 16 janë shpallur në kërkim dhe vijon hetimi për 127 persona të tjerë.

Në vijimësi të këtij operacioni, policia e Korçës tha se priten arrestime të tjera.

Bëhet fjalë për shtetasit: R. M., 31 vjeç; E.Ç., 33 vjeç; M. T., 30 vjeç; P. K., 32 vjeç; K.N  22 vjeç., L. S., 32 vjeç; J. Xh., 26 vjeç;  D. G., 35 vjeç; M. S., 24 vjeç; E. R., 44 vjeç; A. T., 45 vjeç; B. M; 18 vjeç; R. A 18 vjeç; L. S., 18 vjeç; E. H., 21 vjeç;  A. B., 19 vjeç; K. S., 21 vjeç; I. P., 28 vjeç;   D. Z., 36 vjeç; D. S., 22 vjeç; R.T., 37 vjeç; V. H., 28 vjeç, banues në Korçë dhe A. O., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Në të dyja fazat e operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 700 gramë kokainë e ndarë në doza;

– 1 kilogramë kanabis e ndarë në doza;

– 100 gramë heroinë e ndarë në doza;

– një sasi metadoni dhe prekusori;

– 1 armë zjarri tip pistoletë me silenciator;

– 38 automjete;

– 30 aparate celular;

– 5 peshore elektronike;

– 1 radio policie;

– një sasi rreth 50 milionë në euro, dollarë dhe paund;

– dokumente të ndryshme identifikimi të dyshuara të falsifikuara për shtetas të ndryshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë