Gazeta Si – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku ka vendosur të shkarkojë dhe pezullojë nga detyra disa punonjës policie që dyshohet se kanë kryer vepra korruptive apo kanë cenuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Rumbullaku ka përjashtuar nga radhët e uniformave blu, shefin e Krimeve të Komisariatit të Devollit, Pashk Syziu.
Ai akuzohet për kryerje të veprime arbitrare, në tejkalim të kompetencave ligjore. Vendimi vjen pas akuzave të një qytetari se është dhunuar nga zyrtari i policisë.
Po ashtu është pezulluar nga detyra një inspektor policie të Shqiponjave në policinë e Dibrës për tejkalim të kompetencave për të cilin ka nisur një hetim disiplinor.
Pezullim nga detyra është vendosur edhe për një nënkomisar në policinë kufitare të Durrësit që akuzohet për akte korruptive pasi ka lejuar të kalojë kufirin një shtetase. Janë pezulluar edhe 2 inspektorë për shpërdorim detyre.
Në 1 muaj e gjysmë që drejton forcat e rendit, Rumbullaku ka larguar nga policia 2 efektivë të komisariatit 6 të akuzuar për korrupsion, një efektiv të rrugores që u arrestua në Turqi me kanabis dhe një zyrtar të policisë së Korçës që goditi një qytetar në Pogradec.
Edhe 3 efektivë në komisariatin 3 të Tiranës do të qëndrojnë të pezulluar deri në sqarimin e rrethanave të vdekjes së të riut Lear Kurti gjatë ndalimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




