Çmimet e naftës ranë me më shumë se 1% të hënën pasdite pasi të dhënat nga Kina treguan se kërkesa nga importuesi më i madh në botë i naftës mbeti e dobët për shkak se politikat strikte të Covid-19 frenuan konsumin.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent për dhjetorin ranë 1.1%, në 92.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor u tregtua me 84.02 dollarë për fuçi, në rënie me 1.2%.
Ndonëse më të larta se në gusht, importet e naftës së papërpunuar të Kinës prej 9.79 milionë fuçi në ditë ishin 2% më pak se një vit më parë. Arabia Saudite dhe Rusia ishin dy furnizuesit kryesorë të saj.
Pasiguria mbi politikën zero-Covid të Kinës dhe kriza e pronave po dëmtojnë efektivitetin e masave pro-rritjes, thanë analistët, edhe pse rritja e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e tretë i tejkaloi pritshmëritë.
Brent u rrit javën e kaluar pavarësisht se presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi shitjen e 15 milionë fuçive të mbetura të naftës nga Rezervat Strategjike. Shitja është pjesë e një nxjerrjeje rekord në treg prej 180 milionë fuçi që nisi në maj. Biden shtoi se qëllimi i tij është rimbushë rezervat kur nafta e papërpunuar amerikane të arrijë një çmim prej 70 dollarë për fuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




