Rend dhe Ligj

Avokati i Popullit ngre grup hetimor për vdekjen e Lear Kurtit: Të dalë në dritë e vërteta

Gazeta Si – Avokati i Popullit ka ngritur një ekip që është dërguar për të kryer një hetim paraprak mbi vdekjen e të riut Lear Kurti në Tiranë.

Në një deklaratë për shtyp, thuhet se ekipi ka intervistuar zyrtarët policorë të përfshirë në ngjarje dhe ka marrë pretendimet e tyre.

Gjithashtu ekipi i Avokatit të Popullit ka këqyrur dokumentacionin përkatës dhe ka nisur një hetim administrativ mbi ngjarjen, për të cilën është duke u kryer paralelisht edhe një hetim i brendshëm nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore.

“Avokati i Popullit në cilësinë e Mekanizmit Kombëtar kundër Torturës dhe trajtimit çnjerëzor, ka ngritur një ekip që është dërguar për të kryer një hetim paraprak mbi ngjarjen. Ekipi ka vënë kontakt dhe ka intervistuar zyrtarët policorë të përfshirë në ngjarje dhe ka marrë pretendimet e tyre”, – thuhet në njoftim.

Po ashtu, AP u bën thirrje autoriteteve “për një hetim të shpejtë, të paanshëm e të drejtë të ngjarjes për të nxjerrë në dritë të vërtetën, si dhe për zero tolerancë ndaj shkeljes së të drejtave të qytetarëve”.

Avokati i Popullit ka konstatuar se materialet filmike të shoqërimit të 32-vjçarit në mjediset e Komisariatit, si dhe ato që sipas raportimit të policisë janë marrë në mjediset e jashtme, nga kamera private në momentin kur Kurti është ndaluar dhe ndaj tij po kryheshin verifikime, janë marrë në dorëzim nga institucionet hetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë