Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas metodës së Eurostat, rezultoi 7.9% për muajin shtator, 0.2% më pak se ai i matur nga INSTAT.
Rritja më e madhe ka ndodhur në grupin e transportit, me 13.4% krahasuar me një vit më parë. Ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 13.1% dhe mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje me 5.8%.

Shqipëria është listuar ndër vendet me inflacionin më të ulët se vendet e tjera të BE-së, duke lënë pas vetëm Norvegjinë, Maltën, Francën, Islandën dhe Zvicrën.
Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë është 10.9%, më e larta historike.

Në 12 shtete të BE-së, inflacioni ka arritur në nivele dy shifrore, duke i kaluar 10% (Estoni, Lituani, Letoni, Hungari, Çeki, Holandë, Poloni, Bullgari, Sllovaki, Rumani, Kroaci, Belgjikë).
Në muajin Shtator, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0.6%. Inflacioni në vend nga Instat shkoi 8.1% në muajin shtator.
IHÇK-ja, po rezulton më e ulët se IÇK-ja prej disa muajsh radhazi, kur më herët ndodhte e kundërta. Kjo sepse shporta e produkteve ku Eurostat bazohet për matjet, ka një tjetër përmbajtje nga ajo e Instat dhe dy produkte më pak. Norma e inflacionit vazhdon të mbetet më e larta në vend për 20 vitet e fundit.
Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të katërt brenda pak muajsh normën bazë të interesit, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.
Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një konferencë për media tha në 5 tetor se norma bazë është rritur me 0.5 pikë përqindje duke shkuar në nivelin 2.25%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




