Treg

Kriza prek edhe eksportet, ngadalësohet rritja

Pas një rritjeje të fortë, që pas periudhës së pandemisë, eksportet kanë filluar të tkurren.

Në shtator, eksportet u rritën me 16.3%, sipas të dhënave nga INSTAT, që është zgjerimi më i ulët i këtij viti, ndërsa në gusht shifra ishte 48.1%.

Peshën kryesore në rritjen e eksporteve në shtator e mbajtën tekstilet e këpucët, ndërsa për herë të parë që nga pandemia shënuan tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve, që deri tani kishin qenë një nga nxitësit kryesorë të eksporteve.

Sipas INSTAT, gjatë shtatorit, eksportet e mallrave arritën vlerën 39 mld lekë, duke u rritur me 16.3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9.5 %, në krahasim me muajin gusht.

Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 366 mld lekë, duke u rritur me 37.9 %, nga 41% që kishte qenë rritja për 8 mujorin.

Fasoni me rritje

Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore. Sipas INSTAT, eksportet e tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 19.4% për 9 mujorin, duke ngadalësuar gjithsesi ritmet (zgjerimi ishte 22% me bazë vjetore për 8 mujorin).

Edvin Premçe nga Shoqata e Eksportuesve ka thënë disa herë për Gazetasi.al se frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë nje ngërç dhe ulje të porosive, maksimumi nga janar-shkurti.Gjithashtu mungesa e më shumë se 20 mijë punëtorëve për të cilat sektori ka nevojë thellon krizën.

Ngadalësohen mineralet dhe lëndët djegëse

“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” ngadalësuan ndjeshëm ritmet e rritjes në shtator, duke u zgjeruar me 27.5%. nga mbi 50% muajin e mëparshëm, ndërsa në korrik eksportet e këtij grupi ishin dyfishuar. Për 9 mujorin shitjet u rritën me 58%, nga 62% për 8 mujorin,.

Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë

Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 15% për 9 mujorin, nga 20% në 5-mujor.

Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera.


Thellohet deficiti

Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 366 mld lekë, duke u rritur me 37.9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 695 mld lekë, duke u rritur me 25.1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 329 mld lekë, duke u rritur me 13.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Rriten eksportet me Italinë, bien me Kosovën

Sipas INSTAT, në muajin shtator 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë: Itali (16.8 %), Gjermani (110.5 %) dhe Maqedoni (30.5 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (24.8 %) ,Spanja (1.6 %) dhe Greqia (26.5 %).

Gjatë këtij nëntëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (45.0 %), Kosova (1.8 %) dhe Gjermania (79.2 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (15.4 %) .

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58.4 %, të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (26.4 %), Turqia (10.7 %), Gjermania (8.3 %) dhe Greqia (7.8 %).

Shkëmbimet tregtare, për nëntëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59.5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Shtator 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52.1 % të importeve gjithsej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë