Rend dhe Ligj

Zyrtari i Bashkisë Vau i Dejës padit shefin e komisariatit: Kanabizoi zonën, merr 3-4 mijë euro për parcelë

Gazeta Si – Sekretari i përgjithshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Zhuri ka ngritur një padi ndaj shefit të komisariatit të zonës Bardhyl Saliu.

Ai e ka akuzuar drejtuesin e policisë për kanabizim të territorit të Shkodrës dhe pjesëmarrje të grupeve kriminale.

Sipas tij, Saliu ka ndihmuar grupet kriminale në kanabizimin e territorit, kryesisht zonat malore kundrejt një pagese 3-4 mijë euro për parcelë.

Denoncimin e tij rreth dy muaj më parë, por që e ka bërë publik për mediat së fundmi, ai thotë se zyrtari ka “djegur dhjetëra hektarë pyje e kullota në Temal, gjoja duke asgjësuar kanabisin e kapur nga strukturat e policisë”.

Padinë e tij, ai e ka shoqëruar edhe me disa foto, që provojnë denoncimin e ngritur ndaj shefit të komisariatit. Sipas Zhurit, Bardhyl Saliu gjithashtu merr 1500-2000 euro për ndërtimet pa leje.

“Duke qarkulluar me makinën e tij, ai kontrollon çdo lagje me sekserët e tij dhe kërkon para në këmbim, ndryshe të dërgon në prokurori”, ka shkruan Zhuri në denoncimin e tij.

Ai thekson se akuzat e tij janë të mbështetura në prova dhe fakte. “Komplet territori është i mbushur me kanabis me lejen e tij. Ata që kanë paguar nga 3-4 mijë euro për parcelë i ka mbështetur. Të tjerëve ua ka djegur, janë djegur 200 hektarë pyje. Unë kam shkruar dhe asnjë përgjigje s’kam marrë. Unë akuzat i kam me prova dhe fakte, i kam paraqitur te drejtoria e Policisë… nuk kam ende asnjë përgjigje, – vijon Zhuri. – Unë nuk kam besim te to, unë kam komunikuar me Ardi Veliun dhe më ka nisur një informacion dhe ka nisur një inspektim dhe pastaj nuk kemi pasur më asnjë kontakt Unë kërkoj që ky të shporret një minutë e më parë nga komisariati. Ky është i vetmi person që nuk bashkëpunon as me administrator, as me kryeplak. Për mua këtë vit me atë kanabis, Bardhyli i ka siguruar të ardhurat e tij”- tha ndër të tjera Zhuri.

Më tej ai thotë se ka njoftuar krerët kryesorë të shtetit për situatën në Vaun e Dejës, por sipas Zhurit askush nuk i është përgjigjur.

Zhuri ka bërë denoncim në prokurori, ndërkohë që i ka dërguar shkresa edhe kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, bashkëngjitur me provat e parcelave të mbjella me kanabis.

Pak ditë më parë, ai thotë se shefi i policisë e ka kërcënuar me jetë. Më herët, Mark Zhuri ka qenë ish-administrator i Njësisë Administrative Temal në Shkodër dhe aktualisht ështëSekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Vau i Dejës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë