Rend dhe Ligj

Morën peng bashkatdhetarin në Angli, i kërkuan 400 mijë paund. Prangosen 7 shqiptarët dhe lirohet 30-vjeçari pas informacioneve nga policia në Tiranë

Gazeta Si – Një 30-vjeçar i identifikuar si Nertil Buzi nga Patosi, i cili ishte marrë peng në Angli nga disa bashkëkombës të tij, të evidentuar si persona me rekorde kriminale është liruar falë një operacioni të përbashkët të policisë britanike dhe shqiptare.

Alarmin për pengmarrjen e tij e ka dhënë vëllai i tij, i cili denoncoi në policinë shqiptare dhe kërkoi ndihmën e autoriteteve.

Më pas, policia shqiptare njoftoi homologët në Angli dhe u zhvillua operacioni për lokalizimin e Buzit, duke bërë të mundur shpëtimin e tij.

Policia britanike prangosi 7 shtetas shqiptarë dhe vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në një njoftim, Policia e Shteetit, thotë se ka marrë informacion se një 30-vjeçar shqiptar, i cili ishte marrë peng në Angli nga persona me aktivitet kriminal, të cilët kërkonin 400 mijë paund në këmbim të lirimit të tij.

Shkaku pengmarrjes dyshohet se është përplasja mes dy grupeve rivale në kontrollin e shtëpive të barit. Shuma pretendohej se ishte fituar nga puna e përbashkët e tyre dhe nuk ishte ndarë si duhet. Mësohet se pengu është keqtrajtuar në mënyrë ç’njerëzore dhe videot kur ai keqtrajtohej i dërgoheshin njerëzve të tij.

Gjatë operacionit, u bë e mundur gjetja dhe lirimi i personit të marrë peng, i cili tashmë ndodhet i sigurtë pranë autoriteteve policore britanike.

Operacioni është në vijim dhe për këtë arsye nuk bëhen publike të dhënat e personit të marrë peng dhe të personave të arrestuar, deri në përfundim të operacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë