Filma

‘Virgjëresha shqiptare’ rrëmben çmimin ‘Vjosa Berisha’. Rina Krasniqi me dy çmime, për aktoren dhe aktorin më të mirë

Nga Gazeta Si - Filmi “Virgjëresha shqiptare“ (Albanian Virgin”) ka fituar çmimet kryesore në edicionin e 14-të të Festivalit “Prishtina International Film Festival”, (PriFest), që u mbyll të dielën e 25 shtatorit.

Çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” që prej këtij edicioni mban emrin “Vjosa Berisha” shkoi për filmin “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit.

“Virgjëresha shqiptare” pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Varshavë ku fitoi edhe dy çmime.

Këtë edicion, për herë të parë në historinë e çmimeve “PriFest” aktorja Rina Krasniqi rrëmben dy çmime; për aktoren më të mirë dhe për aktorin më të mirë.

Krasniqi ka luajtur dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, njëri si Luana dhe tjetri si një burrneshë me emrin Jack.

Aktorja Rina Krasniqi

Gjatë fjalës së saj kur fitoi çmimin e parë, Krasniqi tha se ia dedikon nënës së saj dhe gjithë grave të guximshme.

“Ajo është personi më i çmuar në jetën time. Gjithashtu këtë çmim ua dedikoj të gjitha vajzave dhe grave të guximshme që kanë lënë gjurmë në jetë. Një prej tyre është Vjosa Berisha”, u shpreh ajo.

Në historinë e Oscars, edhe pse nuk ka asnjë kufizim që një interpretues të fitojë çmimet për aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë në të njëjtin vit për dy role në të njëjtin film, kjo ende nuk ka ndodhur, edhe pse ka pasur raste kur interpretues janë nominuar për të dyja çmimet në të njëjtin vit.

Shkrimtari: Çmimi i dyfishtë nuk ka ndodhur kurrë në botë

Për këtë vlerësim ka reaguar shkrimtari Ag Apolloni, i cili ka vlerësuar që kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë në botë dhe sipas tij është idiotizëm.

“Në PriFilmFest një aktores (femër) i është ndarë çmimi i dyfishtë ‘Aktorja më e mirë’ dhe ‘Aktori më i mirë’. Ky idiotizëm s’ka ba vaki kurrë në botë. Cate Blanchett, Barbara Straisend, Linda Hunt, Hillary Swank, Glenn Close, Tilda Swinton, Meryl Streep, Angeline Jolie etj., kanë luajtur role meshkujsh, por kurrë s’janë nominuar në kategorinë ‘aktori mashkull më i mirë’. Po ashtu, shumë aktorë meshkuj kanë luajtur rolin e femrës, por kurrë s’janë nominuar në kategorinë ‘Aktorja më e mirë’. Do të ishte tallje, në mos ofendim, në të dyja rastet”, shkruan Apolloni i cili vijon më tej se kur thuhet ‘aktori’ ose ‘aktorja’, nënkuptohet gjinia e personit që luan, jo gjinia e personazhit të cilin e luan.

Çmimet e tjera

Çmimin për “regjisorin më të mirë” e mori Kaltrina Krasniqi për filmin “Vera andrron detin”.

“Kineasti më i mirë” u shpall Alban Ukaj.

Filmi nga Ukraina “Klondike” mori çmimin e jurisë në “PriFest”.

“North Pole” dhe “To Vancouver” triumfuan në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër.

Edicioni i 14-të i Festivalit “PriFest” u mbajt nga data 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i është kushtuar Vjosa Berishës, ish-drejtoreshës dhe themelueses së këtij festivali, e cila u nda nga jeta më 23 qershor të këtij viti pas një sëmundjeje të rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë