Duke qenë se nesër nis viti i ri shkollor dhe pritet të ketë fluks trafiku, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. mesditën e sotme zhvilloi një takim me strukturat e Departamentit për Sigurinë Publike dhe drejtoritë e Policisë në Tiranë.
Rrumbullaku kërkoi që ndryshe nga çdo vit tjetër, pranë shkollave, të jenë të planëzuar patrulla të përgjithshme, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ndihmës/specialistë të Policimit në Komunitet, të cilët do të monitorojnë qarkullimin e automjeteve në afërsi të shkollave dhe do të ndihmojnë nxënësit dhe prindërit, me qëllim vijimin e trafikut normal dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore.
Punonjësit e Policisë Rrugore do të jenë prezent në të gjitha akset rrugore, kryqëzime dhe rrethrrotullime, për të monitoruar dhe për të menaxhuar trafikun, me qëllim moskrijimin e bllokimit të lëvizjes së lirë të përdoruesve të rrugës nisur nga fluksi i lartë i automjeteve të prindërve, me të cilat do të çojnë fëmijët në shkolla.
Rrumbullaku kërkoi që Policia Rrugore dhe ajo e Patrullës së Përgjithshme të mos ndalojnë dhe të mos ndëshkojnë me masa administrative prindërit që do të çojnë nxënësit në shkolla, por të ndërhyjnë për të ndihmuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe lëvizjen e sigurt të nxënësve, nga njëri kah i rrugës në tjetrin.
Shefat e komisariateve të Policisë që kanë nën juridiksion, shkollat me numrin më të lartë në nxënësve në shkallë vendi, të takohen me drejtuesit e shkollave, për të hartuar plane pune të përbashkëta, me qëllim koordinimin e veprimeve me drejtuesit e shkollave dhe me bordet e prindërve, për ndërhyrjen në kohë, për të eliminuar dhe për të parandaluar depërtimin e fenomeneve negative apo përshkallëzimin e konflikteve të mundshme në shkolla.
Shefat dhe ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet, çdo ditë do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave, qeveritë e nxënësve dhe oficerët e sigurisë në shkolla, për t’u njohur me situatën dhe do të marrin pjesë në çdo mbledhje të bordit të prindërve, që lidhet me çështje të sigurisë në shkolla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




