Politike

“Anti-kriza” hap debate në Kuvend, Rama përplaset me Alibeajn. Tabaku: Nuk ka paketë ekonomike!

Nga Gazeta 'SI' - Paketa anti-krizë e qeverisë, ishte fokusi i sesionit parlamentar të ditës së sotme, që përplasi kryeministrin Rama me deputetët e opozitës.

Fillimisht ishte Enkeljed Alibeaj i cili tha se në Shqipëri nuk ka asgjë europiane, pasi çmimet po rriten, krimi po sfidon shtetin dhe se “kryeministri habitet se gjysma e ndërtimeve janë pa leje”.  

“Çfarë europiane ka sot kur rriten çmimet? Çfarë Europiane ka sot kur krimi është fuqizuar aq shumë sa e sfidon shtetin, çfarë europiane ka kur drejtori i policisë që duhet të luftoje krimin, shkarkohet pa motiv, pa transparencë dhe 1 ditë më pas tregon se në Shqipërinë e flamurit tonë, aksionet policore dekonspirohen. Kur kryeministri i vendit çuditet pse gjysma e ndërtimeve është pa leje. Kurajo politike do të na duhet të bëjmë ta shohim siç është, pa filtra. Kjo është sjellja që do të na duhet. Në fakt, meqë e thashë që në momente të tilla, ftesa jonë si thirrje e brendshme duhet të jetë që duhet të marrim të gjithë akte civilizuese europiane. Pse sfidohet sot shteti? Ka qenë filli përshkues nga 2013 e këtej”, - tha Alibeaj.

Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj Alibeajt, duke përmendur dhe njëherë masat e qeverisë për krizën e energjisë dhe duke i thënë se, kreu të grupit të PD-së se ai vinte nga një planet tjetër.

Rama shtoi dhe se Shqipëria është vendi me inflacionin më të ulët në Europë sepse nuk është prekur çmimi i energjisë për qytetarët dhe bizneset.

“Më bëri përshtypje parafolësi se ngriti pyetjen Çfarë europiane ka sot kur rriten çmimet? Ku jetoni ju? Unë mendoj se banoni në një planet tjetër, emri i të cilit mbetet mister por nëse ka një gjë që po shqetëson botën dhe Europën është rritja e çmimeve. Shifrat e Eurostat tregojnë se Shqipëria e ka mbajtur inflacionin në një nivel që është më i ulëti në rajon. Kemi një sërë vendesh me inflacion 2shifror dhe nivel më të ulët se mesatarja e vendeve të BE sepse Shqipëria është i vetmi vend që ka vendosur të ndërmarrë një rrugë për të mos e prekur çmimin e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla”, -tha kryeministri i vendit.

Kreu i qeverisë rikujtoi dhe njëherë që qeveria nuk ka për të paguar më pishina, dekore me drita në oborre, ngrohje të vilave me kondicioner e dritare hapur. Konsumatorë që sipas Ramës, përbëjnë 15% të konsumit të energjisë, por vetëm 4% të konsumatorëve.

Jorida Tabaku, po nga PD, deklaroi se në fakt qeveria nuk ka asnjë paketë anti-krizë dhe se 50 mln euroshi i dedikuar është thjesht ndryshim në buxhet e nuk i përfiton askush.

“Sa herë ka një krizë kjo qeveri fillon dhe ankohet. Nuk mund të ndodhë ndryshe edhe këtë herë. E ka fajin opozita për çdo gjë në këtë vend, edhe pse ka 8 vite në opozitë. Kryeministri flet për ndërtimet pa leje, sikur do t’i prishë këto ndërtime të lejuara po nga këto. Rama tha se këtë vit qeveria shqiptare nuk ka paketë por është ndryshim normal buxheti. E gjitha është 50 mln euro. Duhet t’i shpjegoj dikush këtij se indeksim lidhet me normën e inflacionit. Çmimet janë rritur nga 7.5% deri në 29% për disa produkte. Dhe rritjet janë si për mëshirë”, - u shpreh deputetja Tabaku.

Ajo përmendi se 35%  e familjeve shqiptare nuk e përballojnë dot çmimin e energjisë dhe qeveria ka dështuar në diversifikimin e saj.

“Sot flasim për energjinë elektrike të prodhuar në vend. 60% e energjisë elektrike është prodhuar nga privatët. Çfarë ka bërë qeveria shqiptare për diversifikimin e prodhimit të energjisë? Po një park fotovoltaik. Përsëri sot nuk diskutojmë asnjë alternativë. Askush nuk flet për kompanitë e karburanteve që janë përfituesit kryesorë të rritjes së çmimeve. Kemi një bord antikushtetuese që vendos çmimet. Sot diskutojmë për kafshatën. Bëhet fjalë për një rritje 500 lekë për pensionistët, për të kompesuar rritjen deri në 29% të produkteve të shportës. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për tu përballuar me krizat.”, -tha ndër të tjera Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë