Gazeta Si - Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, gjatë prezantimit të vendimeve të qeverisë, ka komentuar edhe deklaratën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të policisë së Shtetit Gledi Nano, se 14 kriminelë i kanë shpëtuar policisë për shkak të dekonspirimit të operacioneve.
Çuçi tha se në lidhje me këtë deklaratë do të kryhen hetime ku do të përfshihet edhe Gledis Nano.
"Është shqetësuese por edhe pjesë e punës së përditshme që ka policia e Shtetit për të pastruar radhët e policisë së Shtetit. Në lidhje me deklaratën e Gledis Nanos kur nuk e di drejtori i policisë vështirë se do të dijë ministri këtë gjë. Është në hapsirën e informacionit që ka drejtori i Policisë. Do ta thellojmë hetimin dhe do të përfshihet edhe ish-drejtori i policisë së Shtetit për të shkuar drejt zbardhjes së të vërtetës dhe për të hetuar çdo kënd që dekonspiron operacionet e policisë"- tha Çuçi.
Çuçi i bëri këto deklarata, teksa njoftoi nga selia e kryeministrisë vendimin e qeverisë për emërimin e Muhamet Rrumbullakut në krye të Policisë së Shtetit.
“Sot Këshilli i Ministrave emëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullakun. Rrumbullaku i vlerësuar në çdo pozicion që ka qenë. Reformoi agjencinë që është kthyer në një agjenci civile dhe rezultatet e reformës kanë filluar të ndjehen ndërkohë. Rrumbulaku mban gradën e drejtuesit të parë në piramidën e policisë së shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë në krye të Policisë së Shtetit”, - u shpreh ministri.
Prezantimi i kryepolici të ri, do të bëhet pasditen e të mërkurës në orën 16:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.