Gledis Nano është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas thuajse 11 muajsh në këtë post.
Vendimi është komunikuar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në përfundim të mbledhjes së Qeverisë, që u mbajt këtë të mërkurë. Çuçi tha se shkarkimi i Drejtorit Nano bëhej me motivacionin e mospërmbushjes së objektivave.
"Sot Qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorit të Policisë, Gledis Nano. Nuk realizoi objektivat", tha ministri Çuçi.
Ministri tha se kompetencat e drejtorit do t'i ushtrojë nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë deri në emërimin e drejtorit të ri.
Çuçi tha se vendimi është “një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit”.
Gledis Nano u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më tetor 2021, duke pasuar Ardi Veliun në këtë detyrë.
Një reagim për Gledis Nanon, pati edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili tha se ish-kryepolici i bë “kokë turku”.
“Në një kohë kur priteshin përgjegjësitë më të larta në nivelet politike për dështimin e rëndë për rendin publik, të përkeqësimit të treguesve, është e qartë që u bë edhe një ‘kokë turku’ e radhës, i cili vetëm 10 muaj më parë u promovua me entuziazëm, si prurje e re shpresë-dhënëse për drejtimin ligjor dhe qytetar të Policisë së Shtetit”.
Sipas Metës “edhe ministrat janë bërë kokë turku. Ndërkohë situata e rendit ka ardhur duke u përkeqësuar në mënyrë ekstreme".
Meta shtoi se askush “nuk mund të gënjehet se një shkarkim si ky i sotmi mund të jetë shpresëdhënës për integritetin dhe depolitizimin e këtij institucioni tërësisht partiak”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.