Treg

Një ‘dasmë’ e madhe i pret shqiptarët në dimër

Sezoni i dasmave ka provokuar një rritje shtesë të çmimit të vezëve në supermarketet shqiptare e cila do të vijojë edhe muajt e ardhshëm.

Nga Gazeta “Si”-Sezoni i dasmave ka provokuar një rritje shtesë të çmimit të vezëve në supermarketet shqiptare.

Çmimi është rritur me rreth 14% sipas operatorëve të tregut duke tejkaluar edhe pikun e shënuar në mars kur pulat ngordhën nga gripi i shpendëve dhe një kokërr vezë në dyqanet e pakicës arriti 23 lekë.

Çmimi i vezëve në dyqanet me pakicë varion 24-25 lekë për kokërr

Ndërsa vera shënon edhe periudhën kur sezoni turistik dhe ai i dasmave kanë kërkesa më të larta, operatorët po hasen me mungesë të prodhimit si dhe rritje të çmimeve të bazës ushqimore për pulat.

Misri është rritur nga 37lekë/kg në 58 lekë/kg. Soja nga 95 në 125 lekë/kg. Vaji i sojës (pjesë e bazës ushqimore për pulat) nga 150 lekë në 300 lekë/litër. E gjithë kjo rritje çmimesh po reflektohet në çmimin e vezëve.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al  bëri në disa supermarkete të ndryshme të Tiranës, konstatoi se këto çmime janë rritur për herë të tretë brenda disa muajve.

“Rritja e parë e çmimeve që na diktuan tregtarët erdhi sepse në fillim u rritën çmimet e bazës ushqimore. Më pas ishte gripi i shpendëve ai që i shtrenjtoi akoma më tej dhe tani është mungesa e prodhimit”, thotë për Gazetasi.al njëra nga shitëset tek një supermarket, aty ku 15 kokrra vezë kushtonin 430 lekë nga 390 lekë që kishin qenë para disa kohësh.

Çmimi i vezëve në supermarkete është rritur sërish

Ajo shton se pensionistët tani po ankohen që për ta veza është kthyer prej disa kohësh në luks.

Ervin Resuli, ekspert bujqësie tha që para disa kohësh për Gazetasi.al se ngordhja e 50% e shpendëve nga influenca aviare do t’i shtrinte efektet pikërisht gjatë këtyre muajve pasi operatorët do të hasnin vështirësi në zëvendësimin e tyre.

Kompanitë të cilat patën dëmet më të mëdhaja nuk kanë dalë në treg me zogjtë e rinj dhe kanë rritur importet e vezëve me Serbinë në mënyrë që të përballojnë kërkesat.

Shitësit nga dyqanet me pakicë thonë se janë paralajmëruar nga furnitorët e tyre që mund të ketë një rritje të mëtejshme të çmimit të vezëve nëse mungesa e prodhimit vijon kështu.

Sipas të dhënave të Eurostat, në krahasim me rajonin Shqipëria ka çmimet më të larta jo vetëm për produktin e vezëve por edhe për qumështin dhe djathin.

Një individ shqiptar shpenzon mesatarisht 267 euro në vit për vezë, qumësht dhe djathë, sipas të dhënave që janë të publikuara në sistemin e të dhënave të Eurostat.

Serbët shpenzojnë për të njëjtat produkte 163 euro, ose 40% më pak. Maqedonia e Veriut shpenzon 198 euro, Mali i Zi 263 euro dhe Bosnjë Hercegovina 249 euro.

 Të dhënat i referohen vitit 2020, ndërsa Kosova nuk është e përfshirë në këto statistika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë