Treg

Nga çmimi tavan për gazin e energjinë, te reforma e tregut – Opsionet e kufizuara të BE për t’u përballur me krizën

Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të diskutojnë më 9 shtator krizën energjitike që ka mbërthyer kontinentin si pasojë e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Vendet anëtare kanë dalë me propozime konkrete se si të frenohet rritja e çmimit të energjisë në treg, ku nuk përjashtohen masa të përkohshme emergjence.

Çmimet e larta të gazit janë pasuar nga ndërprerje të prodhimit të energjisë sektorët bërthamorë dhe hidroelektrikë për shkak të thatësirës dhe të nxehtit, duke kërcënuar bizneset dhe familjet me fatura të majme.

“Rritja e çmimeve të energjisë elektrike tani po ekspozon limitet e modelit aktual të tregut tonë të energjisë elektrike”, tha Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen në forum e mbajtur në Bled të Sllovenisë. “Kjo është arsyeja pse ne po punojmë tani për një ndërhyrje emergjente dhe një reformë strukturore të tregut të energjisë elektrike”, shkroi ajo më vonë në Twitter.

Presidentja i Komisionit tha se një reformë e plotë e tregut europian të energjisë elektrike duhej të zbatohej që nga janari i vitit të ardhshëm. Çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike duhet të shkëputen nga njëra-tjetra, shtoi ajo në një panel diskutimi me ministrin gjerman të ekonomisë Robert Haback në Berlin.

Një analizë e opsioneve të disponueshme dhe kostot dhe përfitimet e tyre të lidhura do të paraqitet në tetor, ndërsa një propozim legjislativ duhet të vijë vitin e ardhshëm, tha në korrik Komisioneri i Energjisë i BE-së, Kadri Simson pas një takimi urgjent të ministrave të Energjisë të BE-së.

Edhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kërkoi ndërhyrje emergjente. Duke folur në një konferencë për shtyp pas bisedimeve me kryeministrin çek Petr Fiala, Scholz tha se “ne jemi plotësisht dakord që duhet të ndërmerren veprime të shpejta për të reformuar tregun”.

Republika Çeke mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe ishte ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë, Jozef Sikela ishte ai që njoftoi bisedimet urgjente të javës së ardhshme.

Komisioni Europian ende nuk ka publikuar një plan të detajuar për reformën e tregut, por disa vende anëtare si Italia dhe Belgjika kanë kërkuar një çmim tavan të përkohshëm të shitjes së gazit dhe energjisë elektrike.

Zyrtarët e BE po konsiderojnë gjithashtu masa për të ndarë çmimin e energjisë elektrike nga çmimi i gazit dhe për të marrë parasysh burimet e tjera të prodhimit të energjisë, duke përfshirë këtu edhe rikthimin te qymyri.

Disa shtete anëtare kanë nisur masat e tyre për uljen e çmimeve, por Brukseli kërkon që vendet të bashkëveprojnë më shumë në mënyrë që masat të jenë më efektive. Lëvizja vjen ndërsa blloku 27-vendesh po përpiqet të heqë dorë nga varësia nga furnizimet me naftë dhe gaz rus.

Furnizimet e reduktuara dhe paniku për të ardhmen kanë shkaktuar rritje të shpejtë të çmimeve të energjisë në të gjithë Europën.

Të premten, Gjermania dhe Franca raportuan çmime rekord të energjisë elektrike, me kontrata deri në 995 euro për megavat orë, ndërsa në Francë çmimi shkoi deri në 1,100 euro për megavat, krahasuar me 85 euro që ishte vitin e kaluar.

Nicolas Berghmans, një ekspert në Institutin për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris, i tha AFP se Brukseli kishte punuar tashmë në një plan për të reformuar tregun e energjisë elektrike përpara se të godiste kriza.

“Një vit më parë kishte vetëm disa vende në favor të këtyre masave dhe disa që ishin shumë skeptikë për një ndryshim në arkitekturën e tregut të energjisë elektrike. Kjo po ndryshon. Sot kemi propozime që kanë filluar të jenë në tryezë”, tha ai.

Gjermania, shumë e varur nga gazi rus, e ka lënë mënjanë skepticizmin e saj. Çekia ka kërkuar të krijojë mbështetje për një zgjidhje në mbarë BE-në dhe tha të hënën se mund të përfshijë një kufi në çmimin e gazit të përdorur për të prodhuar energji elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë