Treg

Çmimi i gazit në Europë në rënie me 16%, për herë të parë në 5 muaj

Çmimi i gazit natyral në Europë ka pësuar për herë të parë rënie, që nga prilli i këtij viti, pasi Gjermania njoftoi se rezervat e saj të gazit, po mbushen më shpejt nga se pritej.

Kontrata standarde e çmimeve ra me 16% në 286 euro për megavatorë, pas rritjes me 40% javën e  shkuar.

Në Gjermani, objektet e depozitimit të gazit po mbushen me shpejtësi, sipas ministrit të Ekonomisë Robert Habeck. Ekonomia më e madhe e rajonit është vendosur të përmbushë objektivin e tetorit prej 85% në muajin e ardhshëm, tha ai në një deklaratë të dielën.

Gjermania do të arrijë objektivin e tetorit për ruajtjen e gazit tashmë muajin e ardhshëm

Sigurisht, situata e furnizimit mbetet shumë e brishtë pasi Europa po përballet me krizën e saj më të keqe të energjisë ndër dekada. Flukset e reduktuara të gazit nga Rusia, ndërprerjet në Norvegji dhe konkurrenca në rritje për furnizimet me LNG janë të gjithë faktorë negativë që nuk do të zhduken së shpejti.

Qeveritë po vendosin gjithashtu masa për të lehtësuar barrën, duke lënë mënjanë rreth 280 miliardë euro ndihmë, por kjo mund të mos mjaftojë. Republika Çeke, e cila mban presidencën e Bashkimit Europian, do të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë për të diskutuar zgjidhjet e mundshme të krizës në mbarë bllokun.

Shqetësimet po rriten edhe për mbylljen tre ditore të gazsjellësit rus, Nord Stream, që mund të mosrikthehet më kurrë në shërbim.

Kontratat e së ardhmes (blerja paraprake e energjisë) në Holandë,  për muajin e ardhshëm ranë 12% në 297 euro për megavatorë në orën 8:20 të mëngjesit  të 29 gushtit në Amsterdam./Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë