Rend dhe Ligj

Arrestohet një shqiptar në Maltë, akuzohet në Greqi për vrasje të dyfishtë

Gazeta Si – Një shtetas shqiptar është arrestuar javën e kaluar në Maltë. Ai kërkohet nga autoritetet greke, pasi akuzohet për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2015 dhe një grabitje prej 780 mijë eurosh. Atij i janë marrë gjurmët e gishtërinjve për të konfirmuar identitetin.

Ledjon Brakaj, 36 vjeç, doli në gjyq në kuadër të procedurave të ekstradimit, ndërsa avokatët kishin hedhur menjëherë dyshime për identitetin e të arrestuarit. Ata vunë në dukje se urdhër-arresti europian tregonte emra të ndryshëm.

Gjurmët e gishtave të marra nga autoritetet greke për të përcaktuar identitetin e të kërkuarit nuk u paraqitën në gjykatë.

Ledjon Brakaj, duke shkuar ne gjykate ne Malte. Gazeta Si, 24 gusht 2022

Të martën, inspektori Kurt Ryan Farrugia, nga Njësia e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Policisë, prezantoi gjurmët e gishtërinjve që ishin dërguar nga policia greke. Këto gjurmë, kur u analizuan nga homologët e tyre maltezë, dukej se përputheshin.

Megjithatë, “për të shmangur çdo dyshim”, gjykatësja Donatella Frendo Dimech caktoi një ekspert të gjurmëve të gishtërinjve për çështjen në fjalë. Eksperti do të bëjë një analizë krahasuese me kopjen e dërguar nga autoritetet greke.

Brakaj dyshohet se është përfshirë në një grabitje, që përfundoi me vrasjen e një të moshuare dhe nipit të saj. Ata u rrahën dhunshëm dhe më pas shtëpisë ku banonin iu vu zjarri, sipas autoriteteve greke.

Gjatë seancës të së martës, avokati mbrojtës Franco Debono tha se urdhër-arresti europian ishte “një nga më të paktët në detaje të parë ndonjëherë nga gjykatë”. Nuk kishte as referencën më të vogël për prova, sipas tij.

“Besimi i ndërsjellë midis shteteve duhet të nënkuptojë respekt të ndërsjellë”, – argumentoi Debono, duke iu referuar një vendimi të “Corte di Cassazione” në Itali, që refuzoi një kërkesë ekstradimi nga autoritetet malteze me arsyetimin se Malta nuk jepte garanci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë