Një fushatë leximi e fokusuar tek kujtesa. Kështu është menduar ky edicion i tretë i aktivitetit “Ditët e Kujtesës” nën moton Tirana Lexon, i cili i e ka kthyer vëmendjen këtë fund tetori në reflektimin mbi të shkuarën komuniste.E menduar si një maratonë e mbushur me aktivitete në dhjetë ditë, herë si lexime publike, herë diskutime apo edhe shfaqje filmash, ky edicion u çel pasditen e 22 tetorit për t’u mbyllur në fund të tij.Autorë vendas dhe të huaj, me vepra ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet e jetëve, ka qenë përzgjedhja e këtij viti, ndërsa drejtoresha e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, Jonila Godole, organizatore e kësaj nisme, ka thënë se krijimi identitetit lidhet ngushtë me kujtesën. Po aq ngushtë lidhet edhe letërsia me kujtesën, si një prej temave të ndjeshme e shumë të trajtuara në arenën botërore të letërsisë. Një kujtesë që në këtë aktivitet është menduar të ndalet tek dimensioni jo edhe aq i shtrirë historik, por tek kujtesa individuale, tek subjektivja, tek ajo kujtesë që përmes shkrimit subjektiv bëhet më pas pjesë e kujtesës kolektive.
Dritat e skenës së ditës së parë shkuan për shkrimtaret shqiptar-zvicerane Besa Myftiu, e cila ndau momente të jetës, veprës dhe krijimtarisë së saj në poezi e prozë, për t’u ndalur në romanin e saj “Dashuri në kohën e komunizmit”, si një vepër letërsisë së kujtesës, ku Myftiu rrëfen Shqipërinë e viteve 1981- kohë kur nisin edhe shenjat e para të dobësimit të regjimit diktatorial e deri në fillim vitet 2000. Si një autore grua, Myftiu ka vendosur në qendër të prozës së saj pikërisht gruan shqiptare. “historitë që kishin ndodhur në kohën e komunizmit ishin të pakrahasueshme me historitë e shoqeve të mia zvicerane, franceze, gjermane”, do të rrëfente Myftiu.
Histori të pamundura dashurie, herë të pamundësuara prej moralit komunist, herë prej atij tradicional të sunduar nga patriarkalizmi. “Në vitet e komunizmit, çdo histori dashurie që dëgjoja më dukej një libër më vete”, kështu i shihte Myftiu të gjitha ato rrëfenja që bëheshin gati gojëdhëna. Për autoren ajo kohë izolimi,frike, pengesash dhe mohimesh ka qenë letrarisht pjellore.Një vend i veçantë në këtë maratonë veprimtarish iu kushtua shkrimtarit gjerman Karsten Dümmel, i përndjekur dhe persekutuar në Gjermaninë Lindore për shkak të qëndrimit të tij kritik.
“Çfarë mbajnë dosjet e policisë sekrete komuniste? Cila është struktura? Çfarë ishte Stasi? A ishte një shërbim sekret si të tjerët? Ishte mjet i Partisë Komuniste po një polici sekrete e pavarur terroriste? Ndërsa Dümmel, drejtor i organizatës Konrad Adenauer Stiftung për Bosnje-Hercegovinën, ka shfaqur edhe dokumentet personale të dosjeve të Stasit, në 12 vite që e kanë përndjekur. Përballë autorit gjerman ishte antropologu shqiptar, Albert Nikolla, autor i librit “Njeriu i ri shqiptar”, një temë e trajtuar edhe prej kolegut të tij gjerman, ku nga biseda mes tyre kupton se procesi i ndërtimit të njeriut të ri, nuk është edhe aq i ndryshëm, në të dy vendet.
Në këtë valle që mëton të nxisë leximin e bashkë me të edhe diskutimin për të shkuarën u përfshinë edhe shkollat e mesme, ku autorë të ndryshëm u ndalën në gjimnazin “Isa Boletini” në Vorë dhe “Ismail Qemali” në Tiranë. Një kuartet letrar, në sallën franceze të leximeve në Bibliotekën Kombëtare ishte propozimi i ditës së tretë të këtij aktiviteti, ku kritikë, studiues dhe dashamirës të letërsisë si Agim bacci, Ledia Dushi, Beti Njuma dhe Jonila Godole diskutuan përballë një publiku studentësh katër vepra të zgjedhura, të lidhura me kujtesën si “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare. “Valsi i Lumturisë” nga Ylljet Aliçka, “A është, vallë, njeri” nga Primo Levi dhe “Më kujtohet” nga Ylli Demneri.
Shkrimtari dhe kritiku Agim Bacci, kishte zgjedhur për lexim veprën e Helena Kadaresë, që sipas tij, ishte e pandarë nga ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare. Një mendim i pohuar edhe nga gazetarja Beti Njuma. Njuma shtoi se Helena ka përfituar nga të qenit gruaja e shkrimtarit të madh, por sipas saj ajo në këtë vepër ka thyer edhe disa tabu, sepse sjell kujtimet e saj që nga fëmijëria, tregon për fejesën e saj të prishur dhe dashuritë e Ismail Kadaresë, duke u bërë kështu sipas gazetares një nga të parat gra shqiptare që flet aq lirshëm dhe ndan me publikun detaje të tilla intime duke thyer çdo lloj tabuje në opinionin publik.
A mund ta shohësh memoarin e Helena Kadaresë të ndarë nga figura e shkrimtarit aq qendrore në libër? Godole thotë se është përpjekur ta bëjë, ta shohë se ccfarë kontributi sjell në letërsi Helena Kadare si shkrimtare, sesi e i përshkruan jetën në Shqipërinë e izoluar komuniste. “Kam mësuar së tepërmi në këtë libër për jetën në Tiranën e viteve ‘70 , ‘80. Nga përshkrimet që bën Helena, jam çuditur nga festat e shumta që bëheshin dikur, sesi çifti Kadare kishte një jetë të lirë në atë kohë, sesi përtej atij izolimi, kishte pasur një liri intelektuale.”
Godole u ndal më pas tek libri i zgjedhur prej saj, romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, një vepër tragjikomike, që paraqet kalvarin e emirgrantëv eshqiptarë në vitet 1990 dhe zhgënjimin e dyfishtë që ata ndjenë kur panë se ishin të padëshiruar si në vendin nga vinin, ashtu edhe aty ku shkuan. “Sidomos dëshmia tragjike e familjes Tota (Popa) që përpunohet nga autori me një stil sa të ndjeshëm, aq edhe grotesk duke kaluar nga një burg brenda vendit, në një burg të huaj është unikale për letërsinë tonë të pas viteve 1990.
Kujtesa e një tjetër kulture dhe populli dhe vuajtjet e kaluara nën regjimin nazist, tmerret e Holokaustit të përshkruara në librin “A është, vallë, njeri” nga Primo Levi, erdhën si përzgjedhje e studiueses dhe poetes Ledia Dushi. Kjo vepër, si një nga dëshmitë e para të tmerreve të Holokaustit, botuar më 1947-ën, përcjell nazizmin si një ideologji që u përpoq, si në një proces laboratorik të zhvishte njeriun nga ccdo lloj tipari human, kështu ekzekutimi do të qe edhe më i lethë. Beti Njuma solli në këtë kuartet leximi e bashkëbisedimi librin “Më kujtohet” të autorit Ylli Demneri, si një pjesë e kujtesës së Tiranës së dikurshme, lagjet e vjetra tiranase, të rrugëve dhe hollësive të tjera që tashmë kanë mbetur vetëm në kujtesën e atyre që i kanë jetuar ato kohë.
Një tjetër aktivitet i organizuar nga organizata Konrad Adenauer Stiftung –bashkëorganizator i të gjithë nismës “Ditët e Kujtesës” , ishte trajnimi i punonjësve të muzeve dhe vendeve te kujtesës nga historiania Kristin Kallëeit, cicerone në Memorialin Hohenschönhausen, në Berlin. Ky aktiviteti ishte një ndihmesë për pjesëmarrësit të forcojnë një kulturë të kujtesës përmes punës së tyre duke i trajnuar si t’i tregojnë ngjarjet historike në mënyrë sa më të kuptueshme dhe tërheqëse për brezin e ri. Pasditja e ditës së katërt, i kushtohej shfaqjes së filmit “Azizi” të realizuar nga gazetarja Luljeta Progni, në bashkëpunim me regjisorin Gentian Kurti. Një rrugëtim zbulese i asaj çka është fshehur për 70 vjet nga pushtetarët shqiptarë, terrori komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm: grave, fëmijëve dhe të moshuarve duke fokusuar kamerën në vitet 1948-1954, në disa prej kampeve më famëkeqe të diktaturës shqiptare: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë.
Ditët në vijim kanë planifikuar aktivitete të tjera si botime shkencore të lidhura me diktaturën si edhe leximi publik i dosjes së një të përndjekuri të Sigurimit të shtetit. Konkretisht, leximi do të nxjerrë në pah shtypjen dhe persekutimin nga regjimi komunist ndaj pjesëtarëve të familjes Peshkëpia. Aktiviteti hedh dritë mbi represionin komunist, teknikat operative të Sigurimit të shtetit dhe vuajtjen e viktimave, në një përpjekje për të inkurajuar diskutimet mbi pajtimin dhe rehabilitimin.Më 29 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezanton punën e studiuesve të rinj mbi të kaluarën komuniste për rritjen e ndërgjegjësimit mbi nevojën për më shumë kërkim shkencor mbi shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.
Më 30 tetor, do të shpallen fituesit e edicionit të tretë të konkursit “Pyet Gjyshërit”. Qindra punime nga të rinj të të gjithë gjimnazet e Shqipërisë marrin pjesë në një konkurs të ndarë të artet figurative ese dhe multimedial, mbi mënyrën sesi të rinjtë e shohin të shkuarën, për ta të largët, të vendit, nga viti 1945, kur edhe u instalua diktatura komuniste e deri tek trazirat që ccuan në një luftë civile të vitit 1997. Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, organizon në ditën e fundit të kësaj maratone, e nisur edhe si një fushatë leximi, konferencën shkencore “Të mohuar nga regjimi”,si një rishikim i periudhën komuniste, e fikusuar tek sistemi i burgjeve, dëbimeve dhe punës së detyruar në periudhën e regjimit komunist.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.