Shendet

Rriten shtrimet në spital, Kalo: Kanë sëmundje kronike, shumica të pavaksinuar

Në pak ditë rritja e infektimeve nga Covid-19 në Shqipëri u reflektua në rritje shtrimesh.
Përgjatë një jave e gjysmë në vend është parë një rritje e konsiderueshme e infektimeve, ku të premten arritën 1000 raste ditore. Gjithashtu, përgjatë kësaj kohe nuk kanë munguar dhe humbjet e jetës.

Në spitalin e dedikuar Covid-3 tashmë po marrin trajtim 34 pacientë. Mjeku Tritan Kalo i pyetur nga Gazetasi.al ka shpjeguar se një pjesë e madhe e pacientëve janë të pa vaksinuar.

LEXO EDHE:
Shapo: BA.4 dhe BA.5 prezent në Shqipëri, duhet të shtohen vaksinimet e të kthehen masat

“Më të rënduar janë ata me sëmundjet kronike bazë si insufuçienca renale kronike (pacientë në hemodializë), diabetikë të transkuruar, me insufiçiencë kardiake kronike, hipertension arterial, alzheimer e demencë senile dhe morbus parkinson”,shpjegoi Kalo.
Sipas mjekut infeksionist- reumatolog rëndesa e pacientëve vjen, edhe nga vetë rëndesa që ka infeksioni Sars-Cov2.
“Të mos harrojmë influencën e madhe të temperaturave të larta në të sëmurët kronikë”, shton Kalo.

Tritan Kalo-Mjeku infeksionist në QSUT-Marrë nga interneti-Gazeta “Si”-11.07.2022.

Në vendin tonë është konfirmuar vetëm BA.2

Gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Të Ekspertëve, drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini shpjegoi se deri më tani në vendin tonë kemi të verifikuar variantin BA.2 nga testet gjenetike.
Ndërkohë, që për ekspertin shqiptar në Londër, Laidon Shapo, vala e re e infektimeve që ka nisur tregon një prezencë të BA.4 dhe BA.5.

Shapo i shpjegoi Gazetasi.al se vendi ynë po futet në valën e pestë dhe kjo është e dukshme. Ai tregon se duhet të merren masa sepse sistemi shëndetësor kudo është në vështirësi. Sipas Shapos, këto dy variante tentojnë të kalojnë mbrojtjen imunitare.

Ai i shpjegoi Gazetasi.al se masat e nevojshme aktualisht janë; vaksinimi i popullatës, me dozat e dyta dhe të treta, duhet kujdes me grumbullimet masive dhe mbajtja e maskës ku nuk mund të ruhet distancomi social.

“Me dozë të tretë jemi 15% dhe është shume pak. Ka shumë gjëra komplekse sepse nuk është thjesht virus. Nuk mund ta lesh gjendjen në rënie të lirë. Sepse po t’i lesh njerëzit të përplasen me këto variante do dëmtohen. Duhet një survejancë më e mirë që të dalin rastet. Me këto ritme pritet qe piku i infektimeve të jetë në dy-tre javët e ardhshme”, është shprehur Shapo.

Grua me maskë përpara spitalit Covid3 ku kurohen pacientë e infektuar me Covid-19-LSA-Gazeta “Si”-29.06.2022.

Të rëndësishme mbeten vaksinimet!

Shifrat tregojnë se vendi ynë është nën të njëjtin trend me Europën. Ndërkaq, Shefja e Shërbimit Epidemiologjik, Silva Bino më herët i ka shpjeguar Gazetasi.al se do të rriten infektimet nëse njerëzit nuk vaksinohen.
Bino theksoi në mbledhjen e Komitetit se përqindja e vaksinimit me dozat e para ka pësuar rënie javën e shkuar dhe përqindja e vaksinimit ditor mbetet e ulët, në krahasim me muajt paraardhës.

Një tjetër problematik në vendin tonë mbetet vaksinimi i ulët edhe tek fëmijët. Mjekët pediatër i kanë shpjeguar Gazetasi.al se prindërit nuk pranojnë që fëmijët të marrin vaksinën anti-covid.

Administrata e Barnave dhe Ushqimit në SHBA(FDA) ka rekomanduar se prodhuesit e vaksinave, duhet të ndryshojnë modelin e vaksinave të tyre përforcuese.
Por ky proces duhet realizuar, duke filluar nga kjo vjeshtë për të përfshirë komponentë të përshtatur për nënvariantet BA.4 dhe BA.5 të koronavirus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë