Treg

Bitcoin bie me 4% brenda 24 orëve. ‘Presionet po shtohen’

Bitcoin ra poshtë vlerës së 19 mijë dollarëve të enjten e 30 qershorit, 4% më pak se 24 orë më parë.

“Bitcoin është ende nën presion, njësoj si asetet e tjera. Përzierja e inflacionit të lartë, normave të interesave në rritje dhe recesioni, po rëndojnë mbi kriptot”,-tha Yves Longchamp, kreu i kërkimeve për asetet digjitale në SEBA Bank.

Aksionet botërore janë po ashtu nën presion, me S&P 500 që po shkojnë drejt vitit të tyre më të keq, që nga vitin 1970.

Tregu i gjerë i kriptomonedhave është lënduar tepër javët e fundit, nisur nga rënia e fuqishme e monedhave algoritmike si Terra dhe Luna.

Kompanitë e kriptomonedhave janë ndikuar drejtpërdrejt nga kjo rënie. Coinbase shkurtoi 18% të vendeve të punës. BlockFi njoftoi se do të lërë të lirë 1/5 e stafit.

Faktorët makroekonomikë, përfshirë inflacionin dhe rritjen e normave të interesit, po i rëndojnë më shumë këtij tregu.

“Rritja e normave të interesit dhe çmimeve në tërësi nuk po i lë para qytetarëve për të investuar në asete virtuale”, -tha Charles Hayter, CEO i CryptoCompare./CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë