Biznes

Bizneset në Shqipëri dhe Kosovë, më optimistët në rajon. Presin rritje ekonomike dhe të kërkesës

Nga Gazeta “SI” Bizneset në Shqipëri kanë rezultuar më optimistet në Ballkanin Perëndimor për vitin e ardhshëm, pas atyre në Kosovë. Anketa e krijuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me bizneset në rajon, tregon se Besimi i Bizneseve në Shqipëri u rrit me 25 pikë nga viti 2021, ndërsa në Kosovë me 54% .

43% e bizneseve shqiptare të anketuara presin përmirësim të gjendjes ekonomike për 12 muajt e ardhshëm, 39% nuk presin ndryshime, ndërsa 19% përkeqësim. Në Kosovë, 78% e bizneseve presin përmirësim të ekonomisë dhe 18% përkeqësim.

Në Bosnjë Hercegovina 53% e bizneseve presin përkeqësim të situatës ekonomike. Në Maqedoni të Veriut 37%, në Mal të Zi 26% dhe Serbi 27%.

Në pyetjen mbi punësimin, 29% e bizneseve shqiptare presin rritje, shifër përsëri më e lartë se pritshmëritë e vendeve të tjera, përveç Kosovës, ku rezulton përsëri 78%. E njëjta shifër në Bosnjë është 28%, në Maqedoninë e Veriut 14%, në Mal të Zi 21% dhe në Serbi 22%.

60% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se përgjithësisht ekonomia e vendit, është e përshtatshme për të investuar, 27% mendojnë që nuk është as mirë dhe as keq, ndërsa 7% mendojnë se është vendi i përsosur dhe 6% se nuk është shumë vend i përshtatshëm për të bërë biznes. Në Kosovë 45% e bizneseve mendojnë se atje është shumë vend i mirë për të investuar. Në katër vendet e tjera të Ballkanit, përgjigjia më e shpeshtë e bizneseve ishte as mirë dhe as keq.

41% e bizneseve shqiptare kanë treguar se biznesi i tyre është zhvilluar më shumë gjatë 12 muajve të kaluar. 37% kanë thënë se nuk ka ndryshuar situata dhe për 23% është përkeqësuar. Në Kosovë 77% kanë votuar për përmirësim të situatës, ndërsa në vendet tjera dominojnë përgjigjet si nuk ka ndryshim ose ka rënie.  

Për bizneset shqiptare, bashkëpunimi rajonal rezulton i rëndësishëm, 50% prej tyre e kanë pohuar. 35% e kanë cilësuar si shumë të rëndësishëm dhe 15% jo shumë të rëndësishëm. Në Kosovë 49% kanë votuar si e rëndësishme dhe 43% si shumë e rëndësishme. Në të njëjta nivele janë përgjigjur dhe bizneset e vendeve të tjera në rajon.

Në pyetjen se si shihet anëtarësimi në Bashkimin Europian nga bizneset shqiptare, 90% e tyre thonë si zhvillim pozitiv, 7% as mirë e as keq dhe 3% zhvillim negativ. 86% e bizneseve në Kosovë e shohin si zhvillim pozitiv. Edhe në vendet e tjera integrimi në BE vlerësohet pozitivisht.

50% e bizneseve në Shqipëri presin rritje të kërkesës për produktet apo shërbimet që ato ofrojnë për gjatë vitit në vazhdim. 39% nuk presin ndryshim dhe 11% presin ulje. Nga bizneset e anketuara në Kosovë, 88% presin rritje të kërkesës. Në vendet e tjera të rajonit, rreth gjysma e bizneseve nuk presin ndryshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë