Biznes

Bizneset në Shqipëri dhe Kosovë, më optimistët në rajon. Presin rritje ekonomike dhe të kërkesës

Nga Gazeta "SI" - Bizneset në Shqipëri kanë rezultuar më optimistet në Ballkanin Perëndimor për vitin e ardhshëm, pas atyre në Kosovë. Anketa e krijuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me bizneset në rajon, tregon se Besimi i Bizneseve në Shqipëri u rrit me 25 pikë nga viti 2021, ndërsa në Kosovë me 54% .

43% e bizneseve shqiptare të anketuara presin përmirësim të gjendjes ekonomike për 12 muajt e ardhshëm, 39% nuk presin ndryshime, ndërsa 19% përkeqësim. Në Kosovë, 78% e bizneseve presin përmirësim të ekonomisë dhe 18% përkeqësim.

Në Bosnjë Hercegovina 53% e bizneseve presin përkeqësim të situatës ekonomike. Në Maqedoni të Veriut 37%, në Mal të Zi 26% dhe Serbi 27%.

Në pyetjen mbi punësimin, 29% e bizneseve shqiptare presin rritje, shifër përsëri më e lartë se pritshmëritë e vendeve të tjera, përveç Kosovës, ku rezulton përsëri 78%. E njëjta shifër në Bosnjë është 28%, në Maqedoninë e Veriut 14%, në Mal të Zi 21% dhe në Serbi 22%.

60% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se përgjithësisht ekonomia e vendit, është e përshtatshme për të investuar, 27% mendojnë që nuk është as mirë dhe as keq, ndërsa 7% mendojnë se është vendi i përsosur dhe 6% se nuk është shumë vend i përshtatshëm për të bërë biznes. Në Kosovë 45% e bizneseve mendojnë se atje është shumë vend i mirë për të investuar. Në katër vendet e tjera të Ballkanit, përgjigjia më e shpeshtë e bizneseve ishte as mirë dhe as keq.

41% e bizneseve shqiptare kanë treguar se biznesi i tyre është zhvilluar më shumë gjatë 12 muajve të kaluar. 37% kanë thënë se nuk ka ndryshuar situata dhe për 23% është përkeqësuar. Në Kosovë 77% kanë votuar për përmirësim të situatës, ndërsa në vendet tjera dominojnë përgjigjet si nuk ka ndryshim ose ka rënie.  

Për bizneset shqiptare, bashkëpunimi rajonal rezulton i rëndësishëm, 50% prej tyre e kanë pohuar. 35% e kanë cilësuar si shumë të rëndësishëm dhe 15% jo shumë të rëndësishëm. Në Kosovë 49% kanë votuar si e rëndësishme dhe 43% si shumë e rëndësishme. Në të njëjta nivele janë përgjigjur dhe bizneset e vendeve të tjera në rajon.

Në pyetjen se si shihet anëtarësimi në Bashkimin Europian nga bizneset shqiptare, 90% e tyre thonë si zhvillim pozitiv, 7% as mirë e as keq dhe 3% zhvillim negativ. 86% e bizneseve në Kosovë e shohin si zhvillim pozitiv. Edhe në vendet e tjera integrimi në BE vlerësohet pozitivisht.

50% e bizneseve në Shqipëri presin rritje të kërkesës për produktet apo shërbimet që ato ofrojnë për gjatë vitit në vazhdim. 39% nuk presin ndryshim dhe 11% presin ulje. Nga bizneset e anketuara në Kosovë, 88% presin rritje të kërkesës. Në vendet e tjera të rajonit, rreth gjysma e bizneseve nuk presin ndryshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë