Dikur shiteshin kryesisht në tregje dhe dyqane bukurie, por tani produktet për zbardhjen e lëkurës kanë shpërthyer kudo në internet dhe sot ato janë të përhapura në çdo platformë të mediave sociale.
Në Facebook dhe Instagram, shitësit përdorin kremra dhe serume që premtojnë lëkurë më të butë dhe më të bardhë, por ofrojnë informacion të paktë për vetë produktet, ndërsa në YouTube dhe TikTok mund të gjeni mijëra mësime nga njerëz që promovojnë produkte markash apo shtëpiake pa kualifikime që mbështesin pretendimet e tyre. Vetëm në TikTok, hashtagu #skinwhitening ka mbi 254 milionë shikime, ndërsa #skinlightening ka 62 milionë të tjera.
“Mediat sociale janë bërë mjeti më i fuqishëm tani për tani për shitjen e produkteve për zbardhjen e lëkurës”, thotë Anita Benson, dermatologe dhe themeluese e Iniciativës Embrace Melanin për të luftuar praktikat e dëmshme të zbardhjes së lëkurës.
Gjatë viteve, Benson ka trajtuar shumë njerëz që përjetojnë probleme të lëkurës pas përdorimit dhe keqpërdorimit të produkteve për zbardhjen e lëkurës, duke përfshirë shumë gra që i kanë blerë ato në mediat sociale. Ajo është e shqetësuar se platformat e mediave sociale po i ndihmojnë njerëzit të përjetësojnë idealet koloriste, besimi se lëkura më e bardhë lidhet me bukurinë, suksesin dhe shpeshherë edhe pasurinë dhe se ato tani po ofrojnë gjithashtu një treg për produktet që të veprojnë sipas këtyre idealeve.
Amanda Raffoul, studiuese në Harvard thotë se të gjitha llojet e mediave kanë një ndikim të madh në kolorizëm, sidomos në TikTok.
Ndonëse ndikimi më i gjerë mbetet për t’u parë, ekspertë si Benson janë të alarmuar nga ajo që aktualisht po shohin drejtpërdrejt. Ajo tregon për #gloëupchallenge, një hashtag me mbi 4 miliardë shikime në TikTok si një shembull në të cilin përdoruesit krahasuan imazhet e tyre para dhe pas. Ajo beson se sfida të tilla virale të bazuara në pamjen i kanë bërë produktet zbardhuese “më të njohura dhe më të pranueshme”.
Gjithashtu, duke e bërë praktikën dhe produktet më të pranueshme janë blogerët e mediave sociale, shumë prej të cilëve paguhen për të reklamuar kozmetikë, pilula dhe injeksione për zbardhjen e lëkurës megjithëse disa mund të jenë nën presion për ta bërë këtë, siç raportoi BuzzFeed News në 2020.
Një treg global që është i lehtë për t’u ngritur dhe i vështirë për t’u kontrolluar
Ekspertët paralajmërojnë se shitësit më të vegjël në veçanti ka të ngjarë të marrin më pak masa për të siguruar që produktet që ata shesin në mediat sociale janë të sigurta. Është e thjeshtë të krijosh një dyqan në Facebook ose Instagram, të postosh një produkte dhe thjesht të marrësh porosi.
Shumë produkte të reklamuara si zbardhës të lëkurës përmbajnë merkur, quinol ose kortikosteroide, të cilat janë potencialisht toksike dhe mund të ndikojnë në shëndetin e një personi. Një kërkim i shpejtë në Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube zbulon një numër postimesh dhe nganjëherë faqe të tëra biznesi, që shesin ose promovojnë përdorimin e produkteve që janë shënuar nga studiues në Departamentin e Shëndetësisë në SHBA me përmbajtje të lartë të merkurit.
Mërkuri mund të ketë pasoja të shumta negative shëndetësore, duke përfshirë dëmtime neurologjike dhe kardiovaskulare.
Një tjetër dermatologe, Adeline Kikam, thotë se akoma më shqetësues është fakti se tani kushdo po krijon një produkt duke e quajtur më pas produkt bio dhe kjo është shumë e vështirë për t’u kontrolluar dhe rregulluar.
“Kur keni kaq shumë kompani të vogla që e bëjnë këtë në nivel global dhe e vendosin produktin drejtpërdrejt në mediat sociale, mendoj se është edhe më e vështirë të kontrollohet”, tha ajo.
Katie Paul, drejtore e Projektit të Transparencës Teknike në Amerikë, e cila ka gjurmuar se si përmbajtje të dëmshme janë shpërndarë tek të rinjtë në platformat e mediave sociale, beson se shumë nga kompanitë kryesore të teknologjisë nuk po zbatojnë siç duhet politikat.
Për shembull, kur bëhet fjalë për reklamat me pagesë, Meta dhe TikTok kanë rregulla shtesë. Një zëdhënës i TikTok shpjegoi se reklamat për produktet për zbardhjen e lëkurës nuk lejohen në TikTok në SHBA ose Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse trajtimet për heqjen e njollave të errëta janë të lejuara.
Ekspertët e kanë bërë të qartë se zbatimi i politikave është jashtëzakonisht i nevojshëm, si dhe kërkojnë mbrojtje më efektive për përdoruesit e rinj, mbikëqyrje e kujdesshme mbi listimet e produkteve dhe më shumë transparencë se si moderohet përmbajtja e krijuar dhe e paguar nga përdoruesit. Ata gjithashtu besojnë se duhet të ketë më shumë përgjegjësi kur produktet e shitura në këto platforma rezultojnë në dëm të konsumatorit.
Kompanitë e teknologjisë kanë pohuar kryesisht se ato nuk janë përgjegjëse për mallrat e shitura përmes platformave të tyre, por ligjvënësit në Europë dhe SHBA po kërkojnë të ofrojnë më shumë mbrojtje dhe burime ligjore për konsumatorët.
Në fillim të këtij viti, Bashkimi Europian ra dakord për rregulloret sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale dhe Aktit të Tregjeve Dixhitale, të cilat prezantojnë një kornizë për rregullimin e kompanive të teknologjisë që operojnë në Europë. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në vitin 2024.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



