Dosje

Agim Kajmaku mohon akuzat për pakot me kokainë, por shiriti ngjitës në çantë e futi në telashe

Gazeta Si – Pak ditë pas arrestimit, Agim Kajmaku ka mohuar akuzat që e përfshijnë për kapjen e rreth 20 kg kokainë në biznesin e tij në Itali.

Mediat vendase shkruajnë se Vittorio Supino, avokati mbrojtës i ish-kryebashkiakut të Vorës dhe nipit të tij, thotë se ka ende shumë punë për të bërë për të zbardhur pozicionin e klientëve që përfaqëson.

Ndërkohë, ai ka dhënë një detaj, që sipas tij mund të ketë shërbyer për të implikuar ish-kryebashkiakun në trafik droge.

Mediat italiane, bëjnë me dije se avokati ka deklaruar se atyre u është gjetur një shirit ngjitës në çantë, që dyshohet të ketë qenë i njëjtë me atë që ishin mbështjellë pakot e kokainës.

Të hënën, lënda narkotike e kapur nga karabinierët e San Benedettos në një fidanishte në Grottammare, do të dërgohet në Ankona për t’u analizuar për të përcaktuar përqindjen e pastërtisë së drogës.

Ndërkohë hetuesit vijojnë hetimet për të konstatuar se si ka mbërritur në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë, e cila ishte fshehur në vazot e bimëve që ishin blerë nga biznesi i ish-kryebashkiakut.

Agim Kajmaku, pronar i një fidanishteje në këtë zonë, jeton me familjen në Monterubbiano, ndërsa nipi i tij jeton në Terra delle Aquile, ku punon si kopshtar.

Sipas dëshmisë së tyre, ata shkuan për të blerë bimë në disa fidanishte të zonës dhe i mblodhën në atë të Grottammares, ku duhej të ngarkoheshin.

Më vonë, u zbulua sasia e madhe kokainës, me vlerë gati një milion euro. Tani po punohet për të përcaktuar se nga erdhën, ku ishin dhe kush i ka ngarkuar bimët që përmbajnë drogën.

Karabinierët identifikuan Kajmakun dhe nipin  e tij që ndodheshin në afërsi të fidanishtes me një furgon.

Pas kontrollit në banesat përkatëse të xhaxha e nip, policia nuk ka gjetur gjë. Mediat lokale raportojnë se ata vazhdimisht përsërisin se nuk dinë asgjë për praninë e drogës në vazo.

Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga Prokuroria e Tiranës përmes një letër-porosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë