Politike

Arrestohet në Itali me 20 kg kokainë ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga Agim Kajmakun, ish-kryetar socialist i Bashkisë së Vorës me akuzën e pjesëmarrjes në një grup të organizuar që vepronte në fushën e shpërndarjes së kokainës.

Sipas mediave italiane, në momentin e arrestimit Agim Kajmakut i është gjendur një sasi prej 20 kilogramësh kokainë.

Kajmaku besohet se ishte anëtari më i ri i grupit në fjalë, që autoritetet italiane kishin vënë nën vazhgim prej muajsh, madje edhe duke vendosur kamera dhe përgjues në zonat dhe lagjet ku ushtronte veprimtarinë e paligjshme.

Arrestimi i Agim Kajmakut është bërë më 27 maj.

Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vorës në zgjedhjet pa garë të 30 qershorit 2019. Ai ishte njëri prej disa emrave që Partia Demokratike denoncoi se kanë fshehur në formularin e dekriminalizimit procedime e dënime penale të së shkuarës.

Kajmaku u shkarkua disa muaj më vonë për falsifikim dokumentacioni, pasi në formularin e dekriminalizimit nuk kishte pasqyruar identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi.

Ai u shpall në kërkim në muajin nëntor të 2019-s dhe u arrestua në 2020 në një spital, ku ishte shtruar për probleme shëndetësore. Gjykata e Shkallës së Parë kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg për të, por Apeli e ndryshoi këtë masë në detyrim paraqitjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë