Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë nuk duhet të lejohet tërheqja nga Trusti Pensional. Ai shton se nga mbi 630 mijë llogari të hapura në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro.
Sipas tij, gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 8 për qind e bartësve të llogarive dhe 1.2 për qind e individëve që kanë llogari në Trust kanë mesatarisht 30 herë më shumë se 80 për qind e qytetarëve që kanë të hapura llogari.
“Janë po këta persona që e kanë sjellë në Kuvend dhe po e keqpërdorin rrjetin medial për ta manipuluar opinionin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se në opinion po ngjallet panik i paqenë.
Sipas tij, nisma për mundësimin e tërheqjes së parave të Trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili sipas tij, në një medium ka thënë se po të donte FMN-ja do të jepte mjete të mjaftueshme që të shpërndanin për qytetarët, në mënyrë që të mos preken paratë e Trustit. Ai ka thënë se ky është diletantizëm i jashtëzakonshëm, duke shtuar se pasojat nuk mund t’i mbajnë ata.
Ai ka thënë se Fondi nuk mund të zbrazet.
Kurti ka shtuar se objektivi është i njëjtë dhe të gjitha këto subjekte e dinë se sa e rrezikshme është kjo iniciativë.
Sipas tij, nismëtari i idesë ka deklaruar se gëzojnë edhe përkrahjen e Listës Serbe.
“Ne nuk kemi se si e mbështesim një nismë të tillë dhe kur e kemi kundërshtuar herën e parë tërheqjen e Trustit, e kemi thënë se jemi kundër se e dimë që hapet dera për më shumë dhe ja ku jemi sot”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nga rasti i shtrenjtimit të energjisë kanë vendosur që kostoja shtesë e importit, e vlerësuar 128 milionë euro, të mbulohet kryesisht përmes subvencionimit të amvisërisë.
Sipas tij, pensionistët gjithashtu janë goditur nga rritja e çmimeve, prandaj kanë vendosur t’i mbështesin me nga 100 euro.
“Edhe fëmijët e vendit po ndjejnë pasojat e rritjes së çmimeve, por edhe atyre nuk i ndihmojmë duke rrënuar Trustin Pensional. Atyre u ndihmojnë shtesat universale që u siguron atyre deri në 240 euro në vit. Edhe lehonat janë të goditura, por nuk ndihmohen nga rrënimi i Trustit Pensional, por ata janë ndihmuar. Edhe fermerët janë prekur nga kjo krizë, por as ata nuk ndihmohen nga trusti. Edhe të rinjtë e vendit janë goditur nga kriza por ata po ndihmohen përmes bursave, e tash edhe me nga 100 eurot”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, as punëtorët e angazhuar në ekonominë informale nuk ndihmohen përmes rrënimit të Trustit Pensional
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




