Kosova

Ambasadori i SHBA-së e konfirmon se Kurti ishte në Shtëpinë e Bardhë

Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, ka reaguar pas spekulimeve të shumta në media nëse kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në SHBA ishte në Shtëpinë e Bardhë apo jo.

Hovenieri ka thënë se takimi i Kurtit me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ishte mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.

Ai ka sqaruar përmes një shkrimi në Twitter se vendi ku është mbajtur takimi mes Kurtit dhe Sullivanit është pjesë e Shtëpisë së Bardhë.

“U befasova kur pashë disa histori të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e kryeministrit Albin Kurti për takimin në nivel kabineti me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan”.

Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë. Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë presidentin, zëvendëspresidentin dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen rregullisht atje”, shkroi Hovenieri.

Ai ka përmendur edhe një takim që ishte mbajtur atje me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe Joe Bidenin, i cili në atëkohë ishte zëvendëspresident i SHBA-së, në vitin 2010.

“Si një shembull: në vitin 2010, unë isha i pranishëm në një takim mes zëvendëspresidentit të atëhershëm Biden dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive të Eisenhower”, ka shkruar ai, duke i dhënë fund debatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë