Ngjarje

Grabitja e Rinasit, avokati i Talo Çelës mohon përfshirjen e klientit të tij

Gazeta Si – I akuzuar për një seri vrasjesh, si ekzekutues dhe ndërmjetës, i shumë kërkuari i drejtësisë, Talo Çela dyshohet se ka qenë pjesëmarrës edhe në grabitjen e parave në Rinas.

Por për ngjarjen e ndodhur në 9 prill 2019, avokati mbrojtës Luan Kaloçi ka mohuar akuzat se klienti i tij ka qenë pjesë e grupit.

Në seancën e kësaj të hënë ndaj Talo Çelës, ai pretendon se i mbrojturi prej tij ishte i paaftë për ta bërë një gjë të tillë.

LEXO EDHE:
– Grabitja në Rinas, pendohet bashkëpunëtori i drejtësisë Alkond Bengasi, prish marrëveshjen me Prokurorinë
– Grabitën 10 mln euro në Rinas, SPAK kërkon 157 vite burg për 8 të akuzuarit
– Në gjurmët e grabitësve të Rinasit, prokuroria rindërton ngjarjen
– Talo Çela fliste në TV nga arratia për grabitjen e Rinasit dhe vrasjen e vëllezërve Haxhia

Sipas avokatit, një muaj përpara ngjarjes ai kishte pësuar një aksident, ku i ishte dëmtuar gjuri.

Për të vërtetuar këtë, avokati kishte dhe një rezonancë, ku Çela do kryente edhe ndërhyrje kirurgjikale.

Ndër të tjera thotë se nuk ka asnjë kontakt me Talon dhe prokurën e ka marrë nga vëllai i tij, Bujar Çela.

Gjithashtu, avokati kërkoi të merrte dëshmitare bashkëshortet e Eldi dhe Klement Çalas, të cilët dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Gjithashtu mbrojtësi kërkoi të pyetet edhe i pandehuri Alkond Bengasi, si dhe një shtetas me profesion berber, ku sipas avokatit klienti i tij ishte duke u qethur ditën ngjarjes.

Seanca u shty në datë 7 qershor, ku do të vendoset nëse do pranohen apo jo kërkesat e avokatit mbrojtës të Talo Çelës.

Në grabitjen e Rinasit u mor një shumë e madhe eurosh, ndërsa u vra në shkëmbim zjarri me policinë Admir Murataj, i cili dyshohet se ishte organizatori.

Çela po gjykohet i veçuar nga të bashkëpandehurit e dosjes, pasi për një vit procesi ndaj tij ishte i pezulluar.

Ai është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një seri ngjarjesh kriminale në aksin Tiranë-Durrës-Elbasan, pas dëshmisë së ish-mikut të tij, Nuredin Dumani.

Ky i fundit, pas mosmarrëveshjeve me ish-bashkëpunëtorin e tij, i ekzekutoi para një viti në shenjë hakmarrjeje të vëllain në Elbasan, Bujar Çela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë