Politike

“Unë jam Sali Berisha, shpifjen se pranoj si të vërtetë”, ish-kryeministri: Basha, i papërgjegjshëm

Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim të gjatë në Kuvendin e thirrur të shtunën në Pallatin e Kongreseve.

Berisha premtoi luftë kundër kësaj qeverisje, shfaqi pakënaqësi ndaj reformës në drejtësi, tha se apatia e opozitës merr fund, atakoi Lulzim Bashën dhe nënvizoi edhe njëherë se ai është “sanksionuar nga lobimi korruptiv i Soros dhe Ramës”.   

“Unë jam Sali Berisha Kurrë shpifjen gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë”, tha Berisha teksa u prit me ovacione dhe thirrje në këmbë nga delegatët: “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”   

Berisha deklaroi se është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes nëse paraqesin një fakt apo provë kundër tij.

“Opozita është para të gjithash pushtet moral. Ata janë burra dhe gra, të rinj dhe të reja të thjeshtë. Pseudopozita është thjesht një limon i shtrydhur. Është një fasadë ku nuk do askush të banojë, Ja ku jemi sot opozitë e vërtetë. Në këmbë të gatshëm për çdo betejë. Përsëri lidhur me këtë çështje dua të shtoj disa gjëra. Është po e njohur që unë jam sanksionuar nga DASH me akuza për të cilat në mënyrë absolute nuk ka asnjë fakt provë apo dokument.

Jam sanksionuar nga lobimi korruptiv i Ramës dhe Soros. Cilido që do të paraqesë një fakt provë apo dokument kundër Sali Berishës ai është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes së tij. Theksoj që unë jam Sali Berisha. Kurrë nuk e pranoj për të vërtetë. Jam mirënjohës pa kufij ndaj jush që ndani me mua këtë qëndrim. Ne merremi me veten tonë por ky Kuvend shënon fundin e këtij kapitulli. Hap kapitullin e përballjes me qeverinë më të korruptuar të Europës.

Edi Rama është kryeministri më i pashkollë në historinë e Shqipërisë. Po dhe po. Shqipëria në të katër anët e saj lëngon. Edi Rama me burgosje, dhunë vret shpresën në çdo shesh të Shqipërisë. Ndaj dhe ne para së gjithash dhe mbi të gjitha duhet të bëjmë gjithçka për t’u kthyer të rinjve shpresën. Detyrë e vështirë por e mundshme”, tha  Berisha.

Ish-kryeministri nënvizoi gjithashtu: “Rruga e rithemelimit të PD që nis me foltoret e njerëzve të lirë, ishte rrugë që na u imponua.

Kjo rrugë, jetike e shpëtimtare për ne e demokracinë e vendit, u imponua sepse ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë nga zhgënjimi në zhgënjim nga dështimi në dështim.

Të gjitha këto për shkak të një udhëheqje të një drejtuesi të papërgjegjshëm, Lulzim Basha, i cili e konsideroi këtë parti si sipërmarrjen e tij private, që parimet konservatore i zëvendësoi me pazaret e bizneset me qeverinë.

I cili së fundmi, përfundoi u ngërthyer nga të gjitha anët e u vërsul me tërbim me vendime me praktika, me qëndrime, fund e krye anti demokratike, shkelmoi sovranitetin e PD, forume, statutin, anëtarësinë e saj.

Ne pas zgjedhjeve të 25 prillit, që ishin zgjedhjet më të dhunuara në historinë e Shqipërisë, ky zotëri në vend se të merrte përsipër avokatinë e votës, mbrojtjen e saj , filloi pazaret me narko-qeverinë, votoi borxhet dhe në mënyrën më skandaloze bllokoi komisionin hetimor të zgjedhjeve. Duke tradhëtuar cdo demokrate e demokrat që votoi për PD”.

Berisha sulmoi Ramën duke përsëritur të njëjtat akuza ndaj tij. Berisha tha serish se ai nuk do ta pranojë kurrë nismën e “Ballkanit të Hapur”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë