Fjalimi i Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi në konferencën e përbashkët për shtyp me Edi Ramën tingëlloi një ‘deja vu’ e fjalimeve të mëparshme që zyrtari i BE ka mbajtur në Tiranë, apo Bruksel sa i takon çështjes së negociatave.
Megjithatë, edhe këtë herë Komisioneri foli me doza optimizmi. Ai tha se po punohet që brenda qershorit të caktohet një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë.
Por, në mes është vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut.
“Vendimi u takon vendeve anëtare. Ne si komision kemi dhënë vlerësimin tonë që kushtet janë përmbushur dhe negociatat duhet të hapen. Por, vendimi u takon 27 vendeve anëtare dhe ne në këtë drejtim po punojmë. Nëse nuk ka një datë as këtë herë, atëherë BE nuk po tallet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por me vetveten”, deklaroi Komisioneri.
Rama përsëriti në sy të Komisionerit se nëse vetoja bullgare do të vazhdojë të pengojë Shkupin, atëherë ai do të kërkojë ndarjen e Shqipërisë.
Komisioneri nga ana tjetër kërkoi durim dhe po për durim foli edhe Edi Rama, kur ceku temën e ndarjes dhe rëndësinë që ajo të mos kërkohet me ngulm dhe forcë, sepse mund të penalizohet procesi i integrimit.
“Përndryshe na mbyllim në banjo, siç ndodh me fëmijët në filma, duhet të jemi të durueshëm, të kuptojmë që të marrim atë që na takojnë, por që atë e marrim me partnerët tanë, jo me forcë, pasi edhe në këtë rast mund të mos funksionojë, atëherë ne do të ndryshojmë kursin dhe me siguri do të kemi më shumë mirëkuptim, se s’i jemi bërë pengesë që këto t’i bëjnë provat e tyre, duhet djegur me shumë kujdes shamia e beqarit”, tha Rama.
Kryeministri foli për një sinergji unike mes BE dhe SHBA në rajon dhe hodhi poshtë hamendësimet se Uashingtoni po i kushton më shumë vëmendje. Dy çështjet e tjera që ai u ndal ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe Ballkani i Hapur.
Për të parën i bëri thirrje Kosovës që të dialogojë, pasi në këtë proces, sipas tij, ka mbështetjen e partnerëve të shqiptarëve. Për Ballkanin e Hapur u shpreh se do të vazhdojë të shtyhet përpara, pavarësisht qëndrimeve të tre vendeve të tjera.
Rama foli për një moment historik të shqiptarëve në rajon, kur tha se “nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, në tre prej tyre kryeministrat janë shqiptarë”, duke iu referuar Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje