Sulmet kibernetike kanë goditur të paktën tre kompani eolike në Gjermani që nga nisja e luftës në Ukrainë. Një nga kompanitë e prodhimit të energjisë nga era thotë se ekziston mundësia për një sulm të ardhur nga Rusia, me qëllimin e shkatërrimit të sistemeve të energjisë së rinovueshme në Europë.
Firmat gjermane si Enercon, Nordex Group, dhe Deutsche Windtechnik kanë raportuar sulme kibernetike në javët e fundit.
Sulmet nisën ditën që Rusia pushtoi Ukrainën, më 24 shkurt.
Këto sulme kanë dëmtuar satelitët që këto kompani përdorin për komunikim.
“Shërbimet e komunikimit të ofruara nëpërmjet satelitit janë bërë pothuajse saktësisht në të njëjtën kohë kur trupat ruse pushtuan Ukrainën,” tha Enercon javën e kaluar në përditësimin e fundit mbi incidentin kibernetik.
Rreth 30.000 terminale satelitore të përdorura nga kompani dhe organizata nga sektorë të ndryshëm janë prekur në të gjithë Europën, duke përfshirë 5.800 konvertues të energjisë elektrike të Enercon në Europën Qendrore, me një fuqi totale të instaluar prej më shumë se 10 gigaatt.
Sulmin në kompaninë Nordex e morën përsipër disa hakera rusë, pak ditë pasi ndodhi.
Këto veprimtari po ndodhin në Gjermani dhe në të gjithë Europën në një kohë kur kontinenti po tenton të reduktojë varësinë nga fosilet ruse.
Gjermania, “e cila ka qenë kundërshtari kryesor i një embargoje të plotë ndaj importeve të naftës ruse në BE, tha të martën se shpresonte të gjente zëvendësime për naftën ruse “në pak ditë”, sipas ministrit të Ekonomisë Robert Habeck.
“Sot mund të them se një embargo (e naftës) është bërë e menaxhueshme për Gjermaninë,” u tha Habeck gazetarëve gjatë një vizite në Poloni./OilPrice
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



