Shendet

Infeksionet në urinë paralajmërojnë kancerin e prostatës

Shkencëtarët thonë se kanë identifikuar bakteret e urinës që janë të lidhura me kancerin e prostatës. Ekspertët shpjegojnë se zbulimi mund të ofrojë mënyra të reja për të dalluar kancerin e rrezikshëm.

Sipas tyre është herët për të thënë nëse bakteret mund të shkaktojnë kancerin, apo të jenë thjesht një shënues i dobishëm. Në studimin e botuar në revistën “European Urology Oncology”, u analizuan më shumë se 600 pacientë me dhe pa kancer të prostatës, për të vlerësuar se sa i dobishëm ishte testi bakterial i urinës.

Ata identifikuan pesë lloje bakteresh të cilat ishin të zakonshme në mostrat e urinës dhe indeve nga meshkujt, kanceri i të cilëve ishte agresiv.
Dy nga speciet e reja të baktereve të gjetura nga ekipi janë emëruar si Porphyromonas bobii, Varibaculum prostatecancerukia.

Kanceri i prostatës nuk është gjithmonë kërcënues për jetën. Ekspertët thonë se disa tumore rriten shumë ngadalë dhe nuk shkaktojnë probleme. Sfida është diagnostikimi dhe trajtimi i shpejtë i burrave që kanë kancerin agresiv.
Testet e disponueshme aktualisht, të tilla si kontrolli i gjakut PSA dhe një biopsi, nuk janë gjithmonë në gjendje të parashikojnë se cilat lloje kanceri do të jenë të dëmshëm.

Zhvillimi i kancerit të prostatës

Infeksioni bakterial dihet se luan një rol në zhvillimin e kancereve të tjera. Për shembull, një virus i quajtur H. pylori mund të shkaktojë kancerin e stomakut.
Rachel Hurst, një nga ekipi hulumtues, tha se ndër gjërat që nuk dimë ende është se si njerëzit i kapin këto baktere, nëse ato e shkaktojnë kancerin, ose nëse një përgjigje e dobët imune lejon rritjen e baktereve deri sa të zhvillohet kanceri.

“Por ne shpresojmë që gjetjet tona dhe puna e ardhshme mund të çojnë në opsione të reja trajtimi, që mund të ngadalësojnë ose parandalojnë zhvillimin e kancerit agresiv të prostatës. Puna jonë mund të vendosë gjithashtu themelet për teste të reja që përdorin bakteret për të parashikuar trajtimin më efektiv”, shtoi Hurst.

Ai tha se ishte e mundur që disa nga këto baktere të prodhojnë hormone që nxisin zhvillimin e tumoreve agresive. Sam Godfrey nga organizata jotfitimprurëse “Cancer Research UK”, tha se afro 4 në 10 kancere janë të lidhura me faktorë rreziku të njohur si duhani dhe obeziteti. Por ka faktorë të tjerë rreziku që shkaktojnë kancer, të tilla si bakteret, që nuk kanë filluar ende të identifikohen.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë