Shendet

Meshkujt mbi 50 vjeç në Shqipëri janë më të rrezikuar nga kanceri i prostatës

Një ndër problemet shëndetësore më shqetësuese në vendin tonë është edhe kanceri i prostatës. Në një përmbledhje të fundit për gjatë vitit të shkuar nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar se niveli i vdekshmërisë për 100.000 banorë ka qenë 14.6%.
Mjekja onkologe në Spitalin Amerikan, Daniela Bego ka shpjeguar se ky lloj tumori është ndër më të shpeshtit që haset tek meshkujt në vendin tonë.
“Mosha është një ndër faktorët kryesor rrezikues. Te meshkujt mbi moshën 50 vjeç fillon dhe rritet risku për t’u shfaqur ky lloj tumori dhe sëmundja fillimisht konstatohet nga mjeku i familjes,” shton mjekja.
Studimet të ndryshme kanë treguar se mbi moshën 50 vjeç ka risk që kanceri të jetë më i shpeshtë. Të dhënat tregojnë se tek shumica e pacientëve mungojnë shenjat klinike të sëmundjes dhe pacientët kryejnë një jetë normale. Ndërkaq sipas të dhënave në vendin tonë, njëjtë si me sëmundjet e tjera tumoriale, edhe ky tumor diagnostikohet në faza të avancuara.
Ndërsa simptomat më të shpeshta të sëmundjes janë: pengesa në urinim, dhembje gjatë urinimit, urinim i shpeshtë, rrjedhje e dobët e urinës e deri te pamundësia për të urinuar, impotenca dhe prezenca e gjakut në spermë. Këto janë simptomat fillestare të sëmundjes ndërsa në faza të më vonshme simptoma të tjera janë: dhembje lumbale, humbje peshe, dhembje e pjesës së poshtme të boshtit kurrizor dhe fraktura spontane.
Përveç simptomave në diagnostikimin e sëmundjes ndihmojnë edhe ekzaminimi rektal i prostatës dhe analiza e PSA, por konkretisht sëmundjen e tregon biopsia.
Trajtimi i sëmundjes nis me ndërhyrje kirurgjikale të prostatektomisë radikale dhe më pas pacienti i nënshtrohet kimioterapisë dhe terapisë hormonale me antiandrogjenikë, të cilat janë të përfshira në skemën e rimbursimit.
Përpos riskut që mbart në vetvete kjo sëmundje, është gjithashtu e rrezikshme që të përhapet nëpër organe të ndryshme dhe më së shpeshti përhapen në kocka, mëlçi dhe mushkëri.

Çfarë e shkakton kancerin e prostatës?
Kanceri i prostatës formohet kur ADN-ja në qelizat e prostatës zhvillon mutacione që mund të çaktivizojnë aftësinë e tyre për të kontrolluar rritjen dhe ndarjen e qelizave. Në shumë raste, këto qeliza të ndryshuara vdesin ose sulmohen nga sistemi imunitar. Megjithatë, disa qeliza të ndryshuara mund t'i shpëtojnë sistemit imunitar dhe të rriten jashtë kontrollit, duke formuar një tumor të prostatës.
Faktorët e rrezikut që nuk mund t'i kontrolloni
Mosha: Rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës rritet me moshën. Një në 15 burra në të 60-at mund të diagnostikohet me këtë sëmundje.
Historia familjare: Të lindësh me një mutacion gjen është një nga rreziqet e pashmangshme të kancerit të prostatës. Dy prej tyre përfshijnë mutacionet e gjeneve BRCA1 dhe BRCA2. BRCA dhe mutacione të tjera të trashëguara, mund të shpjegojnë pse kanceri i prostatës shfaqet në familje. Të kesh një baba ose vëlla me kancer të prostatës mund të dyfishojë rrezikun për këtë kancer.
Hormonet: Niveli i hormoneve seksuale mashkullore, të quajtura androgjene, mund të jetë më i lartë te disa meshkuj se të tjerët. Nivelet më të larta të androgjeneve – kryesisht testosteronit – janë lidhur me një rrezik më të lartë të kancerit të prostatës. Meshkujt që përdorin terapinë me testosteron janë në rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit të prostatës, pasi rritja e testosteronit stimulon rritjen e gjëndrës së prostatës.
Neoplazia intraepiteliale e prostatës (PIN): Kjo gjendje mund të shoqërohet me rritjen e rrezikut të kancerit të prostatës. PIN është një gjendje në të cilën qelizat e gjëndrës së prostatës duken jonormale kur ekzaminohen me mikroskop. Nuk është domosdoshmërisht e lidhur me ndonjë simptomë. Gati gjysma e meshkujve do të diagnostikohen me PIN para moshës 50 vjeç.
Raca: Studimet tregojnë se burrat afrikano-amerikanë kanë rreth 70 për qind më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të prostatës gjatë jetës së tyre sesa burrat kaukazianë ose hispanikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë