Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (Albanian E-Commerce Association – AECA), në një reagim pas operacionit ku u arrestuan 22 administratorë biznesesh online, thotë se problemi qëndron në hallkat paraardhëse e më pas te tregu online, që është hallka e fundit.
Shoqata pranon që tregu ka probleme të shumta dhe kjo vështirëson dhe punën e vetë bizneseve.
“Me shqetësim konstatojmë se tregu aktualisht ka probleme të shumta dhe po i krijon vështirësi bizneseve që duan të operojnë në këtë industri. Megjithatë kjo problematikë është komplekse duke përfshirë shumë hallka nga baza rregullative e tatimeve dhe doganave, tek procesi kompleks i fiskalizimit dhe implementimi i tij në terren. Tregtia online është hallka e fundit e procesit të shitjes së produktit dhe problematikat në informalitet vijnë të mbartura nga të gjitha hallkat paraardhëse. Për këtë arsye presim nga autoritetet trajtimin me kujdes, në mënyrë të drejtë e të pavarur të problematikës së lindur me subjektet nën këtë proces hetimor specifik”, thotë shoqata.
Si fokus kryesor, për formalizimin e tregtisë online, AECA pret bashkëpunime nga institucionet shtetërore për zgjidhjen e problemeve dhe për zhvillimin më tej të sektorit të shitjeve online në Shqipëri.
“Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elekronike (AECA) mirëpret çdo përpjekje institucionale për formalizimin dhe standartizimin e tregut, por gjykon se taktika të tilla sporadike me fushata agresive dhe denigruese nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, përkundrazi përkeqësojnë klimën e të bërit biznes në këtë sektor”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.