Biznes

Tregtia online / Ekspertët: 6 rrugë që duhet të ndiqen nga autoritetet për rregullimin e tregut

“Faturë për dyqan online?”, shërben si përgjigje ndaj pyetjes që i drejtohet tregtuesve në rrjet nëse ata presin faturë”.

Ndonëse është detyrim ligjor, duket shumë e pazakontë të zbatohet një urdhër i tillë nga individët që operojnë si biznes online, me apo një objekt fizik.

“Po këtu nuk japin faturë bizneset fizike, jo ne”, -thotë Silvana, drejtuese prej disa vitesh e një dyqani online me veshja për gra, e regjistruar si biznes i vogël, por asnjë nga klientët e saj nuk ka marrë ndonjëherë faturë.  Sepse asnjë nga kolegët e saj nuk ka lëshuar ndonjëherë faturë.

Por problemi është diku tjetër.

Ligji për tregtinë elektronike, i ndryshuar në fund të vitit 2021, rregullon çdo gjë në sektor, nga liria e konsumatorit tek lëvizja e mallrave, përveç vendit të tyre në sistemin tatimor.

Konsulenti fiskal Artur Papajani

Konsulenti fiskal Artur Papajani, jep për Gazetasi.al 6 rrugë që duhet të ndiqen nga autoritetet përgjegjëse për rregullimin e tregtisë online.

"Nëse qeveria e vlerëson që ka ardhur koha që ky treg duhet të orientohet drejt atij të rregulluar, duhet të konfigurojë një sistem të plotë rregullator. Të konfigurojë aspektin fiskal e kontabël. Të shkruajë rregullat proceduriale, të përshtasë kërkesat e saj me ato të sistemit të pagesave. Të përfshijë sistemin bankarë si aktor kryesor dhe të ngrejë nivelin e teknologjisë së informacionit", thotë ai.

Sipas Papajanit, nuk është efektive "damkosja" e këtyre bizneseve si evazorë. Përpara se ata të përballen me policinë e shtetit, ato duhet të jenë në dijeni se çfarë nuk kanë zbatuar dje se çfarë duhet të zbatojnë.

"Parë në këtë këndvështrim, nuk do t’a quaja influent informalitetin, përderisa insitucionet që ngarkohen, nuk japin të dhëna të besueshme dhe gjithçka që çedon, i ngarkohet sjelljes së  personave që bëjnë biznes në këtë fushë", - shpjegon eksperti.

Ai shton se në Bashkimin Europian janë zhvilluar platforma komplekse, nëpërmjet të cilave operojnë bizneset dhe shtetet që mbledhin atë që ju takon në formën e taksimit. Por kjo nuk ndodh në vendin tonë. "Vendosja e një takse doganore  për një mall  konceptohet si masë rregullatore", vijon Papajani.

Këtë thotë edhe Silvana e cila nuk e ka ndjerë kurrë presionin e një autoriteti rregullator apo kontrolleve. Ajo punon pas një ekrani, pa adresë dhe pa emër të saj.

Nga shifrat e Eurostat, në 2019-n, vetëm 9% e shqiptarëve kishin bërë blerje online, fushë pothuajse e panjohur në Shqipëri deri sa pandemia bllokoi aktivitetet fizike.

Sipas një ankete të Dhomës Shqiptaro-Zvicerane të Tregtisë, gjatë vitit 2020, 67% e shqiptarëve bënë blerje online nga pikat referente në Shqipëri. Ky ishte viti ku biznesi online në Shqipëri u përshpejtua aq sa nuk mundi për disa vite me radhë, duke ia kaluar edhe bizneseve fizike. Këto të fundit, “të kërcënuar” gjetën dhe një hapësirë në rrjet.

Proces i njëjtë edhe për vendet e tjera, por ato shfrytëzuan në kohë momentin e rregullimit të këtij tregut, monitorimit dhe reduktimin e evazionit në të, si pjesë e së ardhmes së afërt.

Dy ditë më parë, një urdhër arresti nga Prokuroria e Tiranës, i kushtoi lirinë 22 qytetarëve, administratorë të faqeve online të disa bizneseve për evazion fiskal. 90% e tyre kishin një dyqan fizik, pjesa tjetër operonin vetëm online. Ata ishin dyqane të njohura dhe me mijëra ndjekës në rrjete sociale, që përkthehen në konsumatorë.

Konsulenti fiskal, Artur Papajani thotë se rruga është e gjatë, por " ka ardhur koha që formalizmi të mos ngatërrohet me formalizimin."


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë